Report TV - 2 orë e gjysmë protestë! Basha: Meta anuloi zgjedhjet falë nesh

  • 5 years ago
Protesta e tetë kombëtare e opozitës joparlamentare kundër qeverisë, ishte krejt ndryshe nga të tjerat. Në nisje të saj, në një vendim të papritur, presidenti Ilir Meta, shfuqizoi dekretin e zgjedhjeve vendore duke anuluar mbajtjen e tyre më 30 qershor. Sinjalet e ardhura nga agjencitë ligjzabtuese në vend, se do të kishte dhunë, u shuan menjëherë pas këtij lajmi, që lideri demokrat Lulzim Basha e quajti rezultat të vendosmërisë së protestuesve në tubimet e nisura që prej muajit shkurt për rrëzimin e qeverisë. Madje edhe gjatë zhvillimit të protestës, kur Basha ftoi simpatizantët në marshim nga Kryeministria drejt parlamentit, Meta u duk se mori në dorë frenat e opozitës, ku përmes një deklarate të dytë pas anulimit të zgjedhjeve, kërkoi që opozita të ndalte protestën.

Tek parlamenti u shënuan disa episode dhune, ku militantë hodhën kapsollë dhe fishekzjarrë ndaj policisë që kishte rrethuar institucionin.

Për shpërndarjen e turmës u hodh ujë dhe u përdor gazi lotsjellës. Por Basha në fjalimin përmbyllës në selinë blu, i quajti këto episode, provokime nga policia, pasi siç ai tha- protestuesit ishin paqësorë. Edhe pse e quajti fitore të protestave, shefi i opozitës tha se nuk do të ketë asnjë hap pas, pasi ajo që duhet të pasojë, është zgjidhja politike e krizës. Në këtë kontekst, Basha i bëri thirrje socialistëve që të ulen në dialog për krijimin e qeverisë tranzitore dhe zgjedhjeve të lira, por pa Ramën kryeministër. Ndërsa kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi e cila u pa vetëm në nisje të protestës dhe jo gjatë zhvillimit të saj, tha se nuk ka asnjë ndikim në vendimin e bashkëshortit të saj president. Madje siç ajo u shpreh, ka dy javë pa komunikuar me të nga momenti kur ka qenë në Itali për të kryer një operacion.

Protesta e parashikuar në orën 19:00, nisi me fjalimin e Lulzim Bashës para kryeministrisë, teksa kaloi më shumë se gjysmë ore nga orari zyrtar, dhe u mbyll pas rreth 2 orë e gjysmë. Një protestë më e shkurtër në kohë se tubimet e fundit, dhe sigurisht pa dhunën e molotovëve apo goditjeve të drejtëpërdreja me fishekzjarrët që u përdorën si armë ndaj policisë në manifestimin e shkuar më 2 qershor.

Hovi i protestës u duk qartë që u ndërpre nga vendimi i Metës, që edhe në mesin e protestuesve, teksa Basha u dha lajmin në sheshin para kryeministrisë, u manifestua si një fitore me brohorima dhe thirrjet "E duam Shqipërinë si gjithë Evropa"...I njëjti slogan që çuditërisht, Presidenti kishte zgjedhur për të mbyllur deklaratën e tij të fortë dhe të papritur për anulimin e zgjedhjeve më 30 qershor, pa caktuar një datë të dytë për mbajtjen e tyre.

Në gatishmëri për mbarëvajtjen e protestës ishin rreth 1800 forca policie. Në këtë tubim, nuk pati të lënduar as nga radhët e efektivëve as nga ana e protestuesve.

Njëjtë si edhe në protestat e tjera, SHBA dhe BE paralajmëruan liderët e opozitës, vetëm pak para nisjes së protestës, të mos kishte dhunë, ndryshe do duhej të mbanin përgjegjësi.

Recommended