Problemet me ndertimin e hidrocentraleve

  • 5 years ago
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është duke vazhduar intensivisht punën për skanimin e kontratave të hidrocentraleve.

8 rastet e para që janë marrë nën monitorim, nga blloku i 54 kontratave që po skanohen në fazën e parë, janë anuluar dhe kanë rezultuar se nuk kanë përmbushur detyrimet kontraktuale.

Julinda Mansaku, këshilltare ligjore në këtë institucion, thotë se puna për rivendosjen e ligjshmërisë në këtë sektor do të vazhdojë deri te kontrata e fundit.

Shkeljet më të shumta që kanë bërë investitorët në fushën e energjisë lidhen me përmbushjen e afateve kontraktuale për realizimin e investimit, apo gjetjen e vlerës për të ndërtuar HEC-in, i cili është 2012. Por në monitorimin që u është bërë kontratave, kanë rezultuar të pandërtuar edhe hidrocentrale leja për të cilat është miratuar në 2009-n apo 2013-n.

Megjithatë ministria e Infrastrukturës është e rezervuar lidhur me emrat e kompanive për të cilët ka nisur prishja e kontratës.

Pas procesit të skanimit të kontratave qeveria do të nisë edhe ndryshime ligjore në ligjin për dhënien e koncesioneve në fushën e hidroenergjisë, duke vendosur kritere mjedisore më të forta, në mënyrë që të ndalet miratimi i kontratave në afërsi të zonave të mbrojtura.