10 mln € deme nga përmbytjet, Rama: Do të bëjmë maksimumin për ti kompensuar

  • 6 years ago
4.715 banesa dhe 41 biznese të dëmtuara, 10.622 hektarë të përmbytur, 5.526 hektarë të tjerë ku ka prani të lartë uji. 27 shkolla ende të papërdorshme dhe 65 ura të prishura ose të dëmtuara. Shifrat e dhëna dje zyrtarisht në Komitetin e Emergjencave Civile të kujtojnë një buletin lufte, ku mungojnë, fatmirësisht, viktimat në njerëz. Shirat, me një intensitet që është provuar rrallë herë në vend, kanë shkaktuar dëme të shumta materiale, që do të jetë e vështirë të riparohen.
Sipas vlerësimeve të para të ekspertëve të shoqërive të sigurimeve, me shifra të tilla duhet të kemi të bëjmë me dëme me vlerë rreth 9-10 milionë euro, ku 8 milionë llogaritet dëmi në ndërtesa e objekte dhe pjesa tjetër në ekonominë bujqësore. Dhe kjo vlerë do të varet edhe nga fakti se sa do të qendrojnë nën ujë zonat e përmbytura. Shiu ka pushuar, por, sipas autoriteve, në zonat fushore të Fierit e të Vlorës pritet që uji të mos largohet edhe për 15 apo 20 ditë dhe kjo duke llogaritur që hidrovoret të punojnë pa pushim dhe pa difekte.