• last year
Fanar ndriçues jemi Shoqja Rudinë.

Shoqja Rudinë e dëgjova monologun tuaj sikundër dëgjova citimin që i bënit një personazhi të sajuar me emrin Zef.

Sipas jush Zefi pohonte se shqiptarët që vendosin të bëjnë gati valixhet dhe të ndërtojnë jetën e tyre në Gjermani, nuk e bëjnë këtë për fëmijët e tyre sepse në Gjermani fëmijët nuk kanë mundësi të lahen në lumin Shalë, por mbyllen brenda.

Monologu juaj shoqja Rudinë, kulmon te pohimi që shqiptarët nuk e njohin konceptin punë dhe nuk e dinë se në Gjermani i pret një skllavëri moderne.

Shoqja Rudinë, që ne jemi fanar ndriçues dhe na ka zili e gjithë Evropa, nuk e vë në diskutim kush. Nuk e kanë vënë në diskutim as paraardhësit e tu Xhunga dhe Hila dhe nuk do ta vënë në diskutim as pasardhësit e tu. Fanari kalon nga brezi në brez si pasaportë privilegjesh dhe postesh të pamerituara.

Përtej fanarit të Shqipërisë, që verbon gjithë Evropën shoqja Rudinë, a i hedhim një sy të dhënave të EUROSTAT-it?! Hape pak bllokun dhe shëno shoqja Rudinë.

1. 67.9 %, e shqiptarëve, deklarojnë se mishi e peshku janë luks për ta dhe fëmijët e tyre.

2. 34.3 %, e shqiptarëve deklarojnë se as një vakt mish nuk e përballojnë dot për fëmijët e tyre.

Mjaftojnë këto të dhëna për të hedhur në erë rrëfenjën e përjetshme të Fanarit Ndriçues shoqja Rudinë dhe rrëfenjën mbi lumin e Shalës. Lumi i Shalës është vërtet i mrekullueshëm shoqja Rudinë, por as nuk hahet dhe as nuk pihet.

Qoftë ju Shoqja Rudinë, qoftë personazhi i sajuar prej jush Zefi, guxoni të fyeni sakrificën që bëjnë shqiptarët duke bërë valixhet dhe duke ndërtuar jetën e tyre në Gjermani apo diku gjetkë. Ju i quani këta shqiptarë skllevër modernë që nuk marrin vendimin e duhur për fëmijët e tyre.

Ndërkohë shoqja Rudinë, sakrifica e këtyre prindërve në thelb përmban dinjitetin për veten dhe për fëmijët e tyre. Duan të punojnë, të jetojnë dhe të paguhen me dinjitet. Duan të marrin rrogën në fund të muajit, të paguajnë qetësisht faturat e tyre, të ushqejnë fëmijët, t'i shkollojnë dhe të bëjnë pushimet bashkë. Ky proces nuk quhet skllavërim modern shoqja Rudinë, quhet jetë e ngritur mbi djersë, integritet dhe standarde të mirëfillta evropiane.

Skllevërit modernë gjenden në Shqipëri shoqja Rudinë, ku detyrohen përdhunshëm nga pronari i tyre të pëlqejnë, të komentojnë dhe të shpërndajnë propagandën e qeverisë për të mbajtur frymën gjallë.

Skllevërit modernë gjenden në Shqipëri shoqja Rudinë, ku rrihen me shkopinj vetëm se denoncojnë një padrejtësi që rrezikon të shembë shtëpinë e tyre.

Skllevërit modernë gjenden në Shqipëri shoqja Rudinë, ku buxheti i shtetit vidhet ditën pēr diell në emër të shërbimeve imagjinare që skllevërit modernë nuk i marrin kurrë.

Skllevërit modernë gjenden në Shqipëri shoqja Rudinë, ku ka vetëm dy rrugë; Ose të mos kursesh lajkat për pushtetin, ose t'i kthesh shpinën pushtetit dhe të kalosh një stinë në ferr.

Post Scriptum- Shoqja Rudinë personazhi i sajuar prej jush Zefi, është po aq i dobët sa personazhi i fëmijës së sajuar

Category

😹
Fun

Recommended