Sërish rritje të pacientëve me koronavirus, 52 persona me COVID, rriten rastet e të shtruarve!

  • 4 years ago
Sërish rritje të rasteve me koronavirus në vendin tonë. Ndryshe nga një ditë më parë, kur u shënuan 33 raste, në 24 orët e fundit numri i të infektuarve ka shkuar në 52. Ministria e Shëndetësisë tha se pavarësisht shërimeve, ka sërish shtrime të reja në spitalin infektiv ku aktualisht po marrin trajtohen 81 pacientë, 11 prej tyre janë në terapi intensive. Nga fillimi i epidemisë, 45 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID19.

Të infektuarit e 24 orëve të fundit janë kryesisht raste të reja në proces hetimi si dhe kontakte të rasteve të konfirmuara më herët pozitive. Ndërkohë në Fier, një prej të infektuarve është një efektiv i RENEA-s, i cili kishte shkuar në Libofshë për të takuar prindërit. "Shpërndarja gjeografike e të identifikuarve pozitivë në 24 orët e fundit është si vijon: 22 të prekur në Tiranë, 9 në Vlorë, 7 në Krujë, 5 në Kurbin, 2 në Fier dhe nga 1 rast në Kamëz, Kavajë, Lezhë, Pukë, Rrogozhinë Delvinë dhe Tepelenë", tha ministria e Shëndetësisë.

Në vendin tonë janë aktualisht 807 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës. "Nisur nga rastet pozitive ditore kryesisht në ndërmarrjet me shumë punëtorë dhe kontakte në vendet e punës, i bëjmë thirrje edhe një herë bizneseve të respektojnë protokollet e sigurisë, distancimin fizik, dezinfektimin dhe ajrosjen e ambienteve, mbajtjen e maskave kudo ku ofrohet shërbimi për qytetarët", deklaroi ministria.

Sipas ministrisë, me rihapjen e transportit publik mbajtja e maskës do të duhet të jetë e domosdoshme nga të gjitha, ata në shërbim dhe përdoruesit e transportit publik. Gjithashtu duhet të bëjnë dezinfektimin e mjeteve të transportit. "Task forca anti-covid nuk do të tolerojë shkelje të rregullave të sigurisë duke e konsideruar rrezik për shëndetin e qytetarëve", thuhet në njoftimin e ministrisë.