Stuhi e pazakonte ere ne vend

  • 4 years ago
Një stuhi e pazakontë ka goditur disa qarqe të vendit prej paradites të së dielës.

Pemë të rrëzuara, depozita të rënë nga pallatet, linja elektrikë të këputura si dhe lundrime të pezulluara janë disa nga pasojat.

Ky është momenti kur era e fortë rëzoi pemën e Krishtlindjes në sheshin ?Skënderbej?.

Fatmirësisht nuk pati njerëz të lënduar. Kjo depozitë ra nga tarraca e një pallati në Komunën e Parisit. Për pasojë shkaktoi panik të madh tek qytetarët, por fatmirësisht pa pasoja në njerëz.

Emergjencat Civile thanë se era ka shpejtësi 5-10 metra në sekondë, ndërsa shpejtësia maksimale prej 18 metra në sekondë u regjistrua në Tiranë.

Ministria e Mbrojtjes u bëri thirrje qytetarëve të mos qëndrojnë afër pallateve dhe objekteve, pasi u rrezikohet jeta nga rënia e objekteve.

Në portin e Durrësit janë pezulluar lundrimet e trageteve drejt Barit dhe anasjelltas për shkak të detit të trazuar.

Era pritet të jetë e fortë edhe në orët e vona të mbrëmjes si dhe mëngjesin e së hënës, ku shpejtësia do të arrijë deri në 30 metra në sekondë. Situata pritet të përmirësohet gjatë mesditës të së hënës, ndërsa të martën moti do të normalizohet, përveç zonës bregdetare që do të vazhdojë të fryjë erë deri në 15 metra në sekondë.

Gjatë mëngjesit të së dielës ka patur vështirësi në qarkullimin e makinave në aksin e Korçë- Ersekë në pjesën fundore të Qafës së Qarrit dhe Urës së Dukës. Ky segment ka prezencë të konsiderueshme akulli dhe qarkullohet me zinxhirë. Aktualisht në këtë zonë po punojnë dy borëpastruese.

Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, në veri të vendit reshje më të theksuara bore ka në Stëblevë ku ka nisur pastrimi i rrugës dhe trajtimi me kripë. Dëbora ka mbuluar edhe Tropojën, Dibrën dhe Kukësin por pa sjellë probleme me qarkullimin.