Report TV - Anti-informaliteti liron 3600 m2 plazh, në hetim 4 zyrtarë bashkiakë

  • 5 years ago
Anti-informaliteti vijon aksionin në zonën e bregdetit shqiptar. Gjatë këtij aksioni janë liruar 3600 m2 plazh duke nisur që nga Himara deri në Qeparo ndërsa janë sekuestruar edhe 200 shezlongë dhe 100 çadra plazhi të vendosura në mënyrë të paligjshme.

Nën hetim janë vënë 4 administratorë subjektesh pasi nuk lëshuan kupon tatimor dhe 4 zyrtarë bashkiakë.

Nga kontrollet e ushtruar në zonën e Himarës, në plazhet e Gjipesë, Potamit dhe Qeparosë u konstatuan 4 subjektet që shfrytëzonin 'Stacionin e plazhit' pa paguar detyrimet financiare dhe pa u pajisur me kontratë qiraje.

Nën hetim u vunë Ll. Sh., M.Dh., F.B. dhe A.Z., me detyrë administratorë të këtyre subjekteve.

Ndërsa nën hetim u vu L.M, drejtor i Drejtorisë së Tatim Taksave pranë Bashkisë Himarë pasi dyshohet se ka lejuar dy nga këto subjekte tregtare të ushtrojë aktivitetin në plazh pa u pajisur me kontratë qiraje në Bashki dhe pa kupon tatimorë, duke mos vepruar në funksion me detyrën e tij.

Operacioni ka vijuar edhe në Pogradec ku u vunë nën hetim për ?Shpërdorim detyre? tre inspektorë të Drejtorisë së Tatim Taksave në Pogradec, konkretisht shtetasit: G.L, A.P, dhe E.B, të tre me detyrë inspektorë kontrolli në Drejtorinë e Tatim Taksave në Pogradec pasi sipas policisë nuk kanë ushtruar kontrollin e nevojshëm në disa subjekte private të cilat kishin lëshuar me qira më shumë shezlongë, sesa iu kishte miratuar me leje Bashkia Pogradec, duke zënë hapësira publike në zonën e plazhit.

Ndërsa në zonën e plazhit në shkëmbin e Kavajës në Durrës, gjatë kontrollit në një plazh privat u konstatuan rreth 160 shezlongë në administrim nga D.D., e cila nuk lëshonte kupton tatimor. Pas kontrolleve ajo u vu nën hetim për fshehje të të ardhurave.