Meta nuk pranon vendimin e Kolegjit Zgjedhor

  • 5 years ago
Presidenti Ilir Meta doli në një konferencë për shtyp herët në mëngjes për të thënë se në 30 Qershor nuk do të ketë zgjedhje, pasi dekreti i tij për ta shfuqizuar atë është në fuqi, pavarësisht vendimit të marrë një ditë më parë nga Kolegji Zgjedhor. Ligjshmërinë e dekreteve, thotë kreu i shtetit, mund ta shqyrtojë vetëm Gjykata Kushtetuese, duke mos njohur në këtë mënyrë vendimin e kolegjit që pranon 30 Qershorin si datë të zgjedhjeve, ashtu si Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, për të cilin kreu i shtetit thotë se është shndërruar në një organizatë socialiste.
Vendimin e Kolegjit Zgjedhor, Presidenti Meta e sheh si truk procedurial të ndërmarrë në kushtet e shantazhit politik.
Mesazhin per reflektim ia adreson mazhorancës, të cilën e paralajmëron edhe për përgjegjësitë që do të marrë nëse kriza do të thellohet.
Faktin se asnjë nga ambasadorët nuk është shprehur kundër 30 Qershorit si data e zgjedhjeve lokale, sipas Metës e ka një arsye.
I pyetur nëse do të ndërmarrë hapa për shpërndarjen e Parlamentit pas komunikimeve shkresore me KQZ për numrin aktual të deputetëve dhe procedurat e ndjekura për dorëzimin dhe dhënien e mandateve, kreu i shtetit jep këtë përgjigje: "Presidenti i Republikës do të bëjë çdo veprim me shumë qetësi, me shumë përgjegjshmëri, dhe do t?i shërbejë gjithmonë mbrojtjes së Republikës dhe interesave të saj, shpresojmë ta bëjnë këtë të gjithë institucionet dhe të gjithë qytetarët së bashku".
Iniciativën e shumicës për shkarkimin e tij e shpërfill dhe thotë se në atë zyrë do të jetë deri në përfundimin e mandatit 5-vjeçar, për të mos lejuar që Shqipëria të bëhet koloni e asnjë fondacioni të huaj.
Tv Klan