AKU: Ashpersimet e Kodit Penal jane te domosdoshme

  • 5 years ago
Qeveria ka vendosur që të ashpërsojë Kodin Penal, duke dënuar me burg tregtarët të cilët abuzojnë me sigurinë e ushqimeve. Të kontaktuar nga televizioni Klan, zyrtarë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit thonë se masat janë të domosdoshme, pasi deri më sot aktet ligjore nuk përcaktojnë asnjë ndëshkim për subjektet të cilët me ose pa qëllim tregtojnë produkte në kushte të rënda higjienike, mashtrojnë konsumatorët apo fshehin origjinën e mallit për të mos deklaruar fatura. Aktualisht baza ligjore për këto ndëshkime daton që nga viti 1995.

?Baza ligjore aktuale tregon se ndëshkimi për këto shkelje është përfshirë thjesht për efekte pasurimi si figurë në Kodin Penal, duke ngelur në kuadrin e një dispozite deklarative, pa zbatim edhe në ditët e sotme.?

Megjithatë Autoriteti i Ushqimit thotë se situata në Shqipëri nuk është alarmante, pasi shkeljet e konstatuara në tërësi lidhen më tepër me mungesën e infrastrukturës së bizneseve për të ruajtur si duhet produktet dhe vetëm në raste të izoluara mund humbin cilësitë ushqyese.

?Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, ndërkohë që konstaton se në disa raste operatorët e biznesit ushqimor nuk përmbushin në tërësi kërkesat ligjore, vlerëson se shkeljet e konstatuara nuk cënojnë sigurinë ushqimore, pasi në vlerësimin tonë, shkeljet e konstatuara lidhen me tepër me elementë të mungesës infrastrukturore dhe që rrallëherë përkthehen në humbjen e cilësisë së produkteve ushqimore.?

Por AKU pranon se duhen investime shtesë për të përmirësuar logjistikën dhe forcuar hallkat e monitorimit të bizneseve.

?Duhet theksuar se kundrejt AKU-së vëmendja e Qeverisë duhet të jetë më e madhe për të mbështetur këtë institucion në përmirësimin e bazës logjistike dhe infrastrukturës.?

 Debati për sigurinë e ushqimeve që shiten në Shqipëri ka shqetësuar së fundi edhe prodhuesit vendas, të cilët në një konferencë për shtyp u kërkuan autoriteteve që të luftojnë informalitetin dhe të publikojnë me emra abuzuesit, pasi po ngarkohen me kosto reputacioni edhe bizneset e ndershme.

Tv Klan

Recommended