100 milione Euro per turizmin

  • 5 years ago
100 milionë Euro do të financojnë BE dhe BERZH për një projekt për transformimin e turizmit shqiptar. Financimi nuk do të fokusohet vetëm tek turizmi detar dhe tek infrastruktura rrugore, por dhe tek ai malor, dhe tek ai kulturor.

Kryeministri e sheh këtë projekt të lidhur me programin e Rilindjes Urbane, pa të cilin sipas tij BE dhe BERZH nuk do të levronin një shumë të tillë parash për tu investuar në turizmin shqiptar.

?Pikërisht se çfarë efektesh transformuese kanë sjellë ndërhyrjet e integruara, që kanë transformuar këndvështrimin e njerëzve të një komuniteti, në raport me vendbanimin e tyre dhe me vetveten. Apo se çfarë iniciativash kanë gjeneruar në të gjitha nivelet, këto projekte dhe këto transformime, duke marrë si shembull Korçën, Beratin, Gjirokastrën, por jo vetëm, edhe të tjera qytete me radhë, ku falë injektimit të dritës dhe të optimizmit që kanë prodhuar këto projekte, kanë lindur iniciativa transformuese që kanë në bazën e vet, shfrytëzimin e potencialit të fjetur turistik, jo thjesht në vijën bregdetare, por edhe brenda territorit të vendit, në qytete dhe jashtë e përreth tyre?.

Sipas shifrave të qeverisë në 5 vitet që vendi drejtohet prej socialistëve ka dyfishim të turistëve, dhe kjo për kryeministrin është e rëndësishme veç të ardhurave që sjellin në ekonomi dhe për të vrarë steriotipin e krijuar për Shqipërinë.

?Sa më shumë turistë të vijnë në vendin tonë, aq më shumë njerëz do të kemi jashtë vendit tonë, që do të thonë të vërtetën mbi Shqipërinë, e cila ka vuajtur dhe vazhdon të vuajë nga stereotipet dhe nga perceptimet e krijuara, pa e njohur atë nga afër. Sot paradite, unë prita një investitor të madh, i cili erdhi në Shqipëri, nuk e di pas shumë kohësh ftesa apo pritje dhe nuk mbaronte së më shprehuri se sa keq i vinte që Shqipëria që kishte imagjinuar ishte komplet pa lidhje me Shqipërinë reale dhe se sa i vonuar ndihej në ardhjen në këtë vend që, sipas tij, ishte një vend ideal për të gjithë ata që duan të investojnë në turizmin e të ardhmes?.

Projekti 100 milionë Euro do të fokusohet me investime në transformimin e mëtejshëm të Korçës, të Beratit, Fierit, e Shkodrës, ku projektet prioritare janë listuar nga Fondit Shqiptar e Zhvillimit.