Roth: Opozita shqiptare, e papergjegjshme

  • 5 years ago
Zërave të ndërkombëtarëve kundër bojkotit të Parlamentit nga opozita i është shtuar edhe ministri i Jashtëm gjerman Michael Roth. Në një intervistë dhënë për të DW, zyrtari i lartë gjerman thotë se largimi nga institucionet nuk i shërben demokracisë.

"E konsiderojmë të papërgjegjshëm bojkotin e parlamentit nga partitë opozitare. Sepse nuk është vetëm bojkot kundër parlamentit ose i qeverisë, por edhe ndaj demokracisë. Parlamenti është vendi ku duhet bërë debati. Ne kërkuam që këtu të ndërhyhet për zbutje. Por kam frikë se situata tashmë është shumë e helmuar".

Zyrtari i lartë gjerman shprehet se akuzat për blerje votash duhet të adresohen në organet e drejtësisë.

"Akuza duhet të bëhen me anë të institucioneve të shtetit të së drejtës. Si mund të bëhen ndryshe? Shteti i së drejtës nuk mund të anashkalohet duke ndalur punën në parlament. Demokracia nuk funksionon në këtë mënyrë. Kush vepron kështu, me sa duket nuk i ka kuptuar parimet e shtetit të së drejtës".

Sipas ministrit të Jashtëm gjerman, situata që aktualisht po kalon Shqipëria mund të rrezikojë edhe vendimin e Qershorit për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, pasi vendi do të duhet të përmbushë disa reforma, mes të cilave edhe atë elektorale për të cilën nevojitet konsensus mes palëve.

"Është e rëndësishme që të ketë mirëkuptim thelbësor në disa çështje, pavarësisht se kush është në opozitë e kush në qeveri. Aty përfshihen çështjet kushtetuese, çështjet zgjedhore, dhe për mua, çështjet e afrimit me BE. Këto çështje duhet të mbështeten nga një konsensus i gjerë politik. Dhe sigurisht, konflikte të tilla kaq agresive në politikën e brendshme kanë një efekt paralizues, sepse ato gjithashtu prodhojnë tituj negativë në media".

Ministri i Jashtëm gjerman vlerëson procesin e Vettingut në drejtësi, por e vë theksin në mënyrë të veçantë në luftën që Shqipëria do të duhet të bëjë sa i përket korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Tv Klan