• 5 years ago
Vetë erdhi në pushtet përmes protestave, por kur flet për zhvillimet politike në Shqipëri, Zoran Zaev në të parën vizitë në Tiranë pas ndryshimit të emrit në Maqedoni e Veriut, nuk gjen ngjashmëri me skenarin Maqedonas. Duke sjellë eksperiencën e tij si opozitar në një fazë kur të dy vendet tona presin të integrohet ne BE, sipas tij politikat e opozitave duhet të udhëhiqen nga interesat kombëtare.

?Në kohën kur unë isha opozitë raportet e SHBA, BE flisnin për një regjim hibrid në Maqedoni, gjatë asaj kohe e drejta e proceseve demokratike ishte e mundur, njëjtë si në Shqipëri, por kur flisja me Hahn, Mogherinin, me gjithë lidershipin e evropian lusja për vendin tim që tu jepet datë e bisedimeve se ky ishte qëllim strategjik i vendit tim pa dallim të konfrontimeve tona si shtet. E kuptoj opozitën kudo qoftë ajo, por obligimi i të gjithëve është shteti, dhe për shkak të kësaj ekzistojmë si parti politike.?

Kryeministri Edi Rama i pyetur për raportin e SHISH që flet për rritjen e ndikimit rus në Shqipëri nuk e mohon këtë fakt, madje lë të kuptohet se ky rrezik është prezent.

?Rusia nuk është vend tifoz i BE-së, i zgjerimit të BE-së dhe natyrshëm s'mund të ketë tifozëllik për ecurinë evropiane për asnjë prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, kjo nuk është sekret, kjo dihet, ndërkohë që ne kemi një axhendë kombëtare, kryefjalë e së cilës është të bashkohemi në familjen evropiane. Sa herë që kjo axhendë cenohet, aq herë kush nuk është tifoz i Evropës, i BE-së, i integrimit të plotë të Shqipërisë dhe Ballkanit perëndimor, pa diskutim që sheh një oportunitet.?

Pas zyrtarizmit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut dhe kryeministri Zaev nuk nguron që të flasë shqip.

?Faleminderit...?

Takimin me Zaevin, Rama e quan përmbajtësor pasi është diskutuar për çështje konkrete, një prej të cilave dhe Schengeni ballkanik.

?Modeli Schengen duhet të shtrihet në të gjithë rajonin me Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi me bindjen se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të hyjnë në këtë proces. Kufijtë e vendet tona duhet të jenë po aq fluidë saç janë kufijtë në Bashkimin Europian.?

Projektet e tjera kryeministrat Rama dhe Zaev thonë se do të diskutohen dhe në mbledhjen e dytë mes dy qeverive që kësaj here do të mbahet në Shkup.

?Pas zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut dhe zgjedhjeve tuaja lokale do të mbledhim 2 qeveritë?, tha Zaev.

Të dy kryeministrat bien dakord se rritja e shkëmbimeve tregtare nxit nevojën për shtrirjen e rrugës së Arbrit deri në Bllac, Shkup.

Tv Klan

Category

📺
TV

Recommended