Report Tv-Procesverbalet/ Sali Berisha del blof për përdhunimin në Kavajë

  • 5 years ago
Pas botimit të dokumenteve zyrtare nga Report Tv, tashmë një pjesë e madhe e opinionit publik e ka të qartë që arrestimi i përdhunuesve të mitur të Kavajës, u bë disa ditë para denoncimit në facebook të Sali Berishës, duke zbuluar kështu edhe një herë blofin e ish kryeministrit, i cili edhe dje në kuvend pretendonte që shkolla dhe policia e kanë fshehur skandalin, dhe u detyruan të reagonin vetëm pas denoncimit të tij në facebook. Berisha e ka denoncuar ngjarjen në datën 3 shkurt ndërkohë që rezulton qartë edhe nga këto dokumente të gjetura sot nga Report Tv, se atë ditë fajtorët ishin tashmë në pranga.

Raporti nga salla operative e Drejtoria e Policisë së Kavajës që Report TV i publikon ekskluzivisht, mban datën 02.02.2019 dhe theksohet se në orën 08.30 në Komisariatin e Policisë së Kavajës janë shoqëruar 7 adoleshentët. Theksohet se shoqërimi i tyre është bërë nga Policia Kriminale në bashkëpunim me Policinë e Rendit dhe për këto shoqërime është njoftuar Shefi dhe zëvendës shefi i komisariatit. Në një tjetër procesverbal, i mbajtur posaçërisht për një prej adoleshentëve të ndaluar janë specifikuar të gjitha hapat e ndjekur.

Edhe ky procesverbal është mbajtur po në datën 2 shkurt në orën 11: 30 dhe është pikërisht njohja e të arrestuarit me ?masën e sigurisë? të dhënë nga Gjykata e Durrësit, seksioni për të mitur në datë 1 shkurt. Ky dokument përveçse nga dy oficerët e Policisë Gjyqësore Orjeta Kërçuku dhe Samir Kazasi është firmosur edhe nga i mituri i arrestuar, avokati i tij, psikologja dhe nga prindi i tij.