Report Tv-'Vol-vo 4'/ Arrestohet 'truri' i grupit të Shijakut, Hekuran Hoxha

  • 5 years ago
SHIJAK - Arrestohet "truri" i grupit kriminal të Shijakut në vijim të megaoperacionit "Vol-vo 4". Në prangat e policisë ka rënë Hekuran Hoxha, 48-vjeç, banues në Xhafzotaj. Urdhërarresti është ekzekutuar mbrëmjen e sotme, një ditë pas lëshimit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ai akuzohet për disa vepra penale, mes tyre pjesëmarrje në grup kriminal, trafik droge dhe pastrim parash. Hekuran Hoxha i cili njihet edhe si "Roni i Shijakut" (Lexo këtu profilin) rezulton të jetë kreu i një grupi të fuqishëm të trafikut të drogës nga Shqipëria në Itali në Turqi, ku trafikonte edhe droga të forta si heroinë.

"Roni i Shijakut" dyshohet se porositi bashkë me Sajmir Gjepalin, (i shpallur në kërkim), heroinën që prodhohej laboratorin e Hasit. Burime nga prokuroria bëjnë me dije se ata kanë mbajtur kontakte me biznesmenin Admir Hoxha ( i shpallur në kërkim) për ngritjen e laboratorit të heroinës në Has i cili u zbulua në tetor 2018. Hekuran Hoxha është arrestuar edhe në vitin 2009 si i dyshuar për trafikimin e rreth 400 kg heroine në Itali. Si dhe në vitin 2011 për trafik heroine në Turqi. Mbrëmjen e 21 tetorit 2018, FNSH dhe RENEA në kuadër të operacionit të koduar VOL-VO 4 prangosën 24 persona mes të cilëve Avdylajt e Shijakut si dhe ish deputetet Arben Ndoka dhe Arben Cuko, emrat e të cilëvë dolën nga përgjimet e bandës së Shijakut me banda të tjera në Shqipëri.

Policia ka arrestuar 5 persona për laboratorin e heroinës në Has, dy prej të cilëve u liruan nga Gjykata, që dyshohet se ishin punonjës. Ndërkohë, në kërkim janë dy shtetas turq. Bëhet fjalë për Iskënder Sale, 35 vjeç, dhe Nejdet Cesuroglu, 49 vjeç.