Pike kufitare e perbashket me Greqine

  • 5 years ago
Qeveria ka vendosur që të ngrejë një pikë kontakti kufitare të përbashkët me Greqinë. Televizioni Klan ka mësuar se Ministria e Brendshme dhe ajo e Ekonomisë dhe Financave kanë arritur të finalizojnë projekt- marrëveshjen që do të firmoset me shtetin grek në verën e këtij viti.

Qëllimi kryesor është ndërtimi i një qendre e cila do të ketë të punësuar shtetas të të dy vendeve, të cilët do të jenë në funksion të shkëmbimit të informacionit dhe procedurave në kufirin mes shtetit helen dhe vendit tonë.

Pika e përbashkët do të funksionojë si në lehtësimin e kontrolleve kufitare për qytetarët që kalojnë aty, por edhe për mallrat të cilat kontrollohen nga doganat.

Burimet bëjnë me dije se marrëveshja synon rritjen e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit të drogave dhe kontrabandës.

Ky është hapi i dytë që qeveria shqiptare merr për njëhsimin e një pike të përbashkët kufitare pas asaj me Kosovën, edhe pse modeli që po ndiqet nuk është i njëjtë.

Këtë vit qeveria jonë pritet të miratojë dhe një marrëveshje me Serbinë, e cila ka si qëllim ndihmën për të dy shtetet që të anëtarësohen në Bashkimin Europian.

Tv Klan