Tensione ne parlament

  • 6 years ago
Kthimi i deputetëve të opozitës që shmangu djegien e mandateve të tyre pas afro 6 muajsh bojkot, ka rikthyer tensionin dhe bllokimin e seancës plenare. Si shkëndijë fillestare shërbeu kërkesa e socialistëve për të futur në rendin e ditës miratimin e draftit të përgatitur prej saj për Reformën Zgjedhore.

Veç refuzimit për këtë propozim nga Basha, përfaqësuesit e qeverisë morën dhe një lumë akuzash e etiketimesh fyese. Kërkesa e Ballës u rrëzua, por mes tij dhe kryedemokratit pati dhe një tjetër përplasje verbale larg mikrofonit.

Tensioni arriti kulmin kur Kryeministri mori fjalën për të folur për dekretin e Presidentit, që riktheu buxhetin e shtetit në Kuvend, për t?u përfshirë në kërkesat e studentëve për rritje të buxhetit për arsimin. Ai nuk mundi të lexojë as 2 fjali, pasi deputeti demokrat Endri Hasa e goditi me vezë.

Ky veprim i kushtoi Hasës 10 ditë përjashtim nga seanca plenare dhe komisionet parlamentare.

Por Hasa nuk ka pranuar të lerë sallën, edhe pse seanca rinisi dhe u ndërpre plot 5 herë. Demokratët kërkuan që dhe ndaj Kryeministrit të ndërmerrej masë disiplinore për fyerje të deputetëve të opozitës, por të njëjtën kërkesë kanë bërë dhe socialistët për Lulzim Bashën.

Këmbëngulja e deputetit Hasa ka hasur në atë të kryeparlamentarit, i cili ka vendosur ta shtyjë seancën për orën 18:00.

Ish-Kryeministri Berisha me ironi zbulon origjinën e vezëve që u përdorën për të goditur Kryeministrin. Por ndryshe nga Berisha, kreu i deputetëve socialiste, Taulant Balla publikoi disa pamje duke thënë se vezët deputetit Hasa ia dha vetë Lulzim Basha.

Tv Klan