Tirane-Tokio bashkepunim per emergjencat

  • 6 years ago
Tirana dhe Tokio do të bashkëpunojnë në fushën e transportit publik, por edhe në sistemin e Emergjencave Civile. Lajmi vjen nga kryeqyteti i Japonisë, ku Kryebashkiaku Veliaj zhvilloi një vizitë zyrtare dhe u takua me Guvernatoren Yuriko Koike.

?Vitin tjetër do të fillojmë një projekt të veçantë me Bashkinë e Tokios, kryesisht për të menaxhuar ato që shihen si më problematike, siç janë zjarret, përmbytjet apo të gjithë ndërhyrjet e tjera që duhet të bëjmë në një rrjet infrastrukture që e bën qytetin më të qëndrueshëm, sidomos me ndryshimet klimaterike. Mezi pres, po ashtu, që edhe në çështjet e transportit publik, me gjithë transferimin që po u bëjmë flotave tona në transportin elektrik, të kemi më shumë për të mësuar nga Tokio?.

Në takimin me Ministrin e Punëve të Jashtme të Japonisë, Taro Kono, Kryebashkiaku theksoi nevojën për bashkëpunime konkrete në fushën e investimeve dhe zhvillimit të biznesit.

"Me kompanitë japoneze, nëpërmjet Agjencisë së tyre të Tregtisë, kemi reklamuar atë që ofron Tirana e Shqipëria, si paketa për investitorët strategjikë. Unë shpresoj shumë që nisma e kryeministrit Abe për rajonin perëndimor mund ta shohë Tiranën si një port hyrës për investimet japoneze, por edhe si një pikë koordinimi për gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor në lidhje me Japoninë".

Gjatë kësaj vizite, Veliaj u takua edhe me Zëvendëspresidentin Ekzekutiv të Organizatës Japoneze e Tregtisë së Jashtme.