Shitjet e prones dhe koncesioneve me demin me te madh ekonomik

  • 6 years ago
Koncesionet, shitja e pronës publike dhe qiratë shtetërore janë sektorët të cilët sjellin dëmin më të madh ekonomik në buxhetin e shtetit.

Në 6 muajt e parë të vitit dëmi ekonomik që është shkaktuar nga shkeljet në këto fusha ka arritur vlerën e 21 milionë Dollarëve.

Sipas një raporti të publikuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, parregullsitë dhe shkeljet financiare në total arrijnë në 38 milionë Dollarë, duke rezultuar se më shumë se gjysma, 54% i takon abuzimeve me pronat, koncesionet dhe qiratë.

Auditimet kanë gjetur se në shumë vlerësime të pronës publike dhe pasurisë që administrohet nga shteti mallrat dhe objektet janë shitur me çmime më të ulta nga vlera e tyre reale.

Në fushën e koncesioneve, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor ka rimbursuar për vlera dhe shërbime që nuk janë kryer.

Në vitet e shkuara sektorët që dominonin dëmin ekonomik në buxhetin e shtetit kanë qenë tatimet, doganat dhe prokurimet publike, ndërsa dy vitet e fundit kjo strukturë ka ndryshuar. Vetëm në 6 muajt e parë të vitit janë kallzuar penalisht 78 zyrtarë publikë.

Tv Klan