ARRSH nis vlerësimin e banesave ne Unazë

  • 6 years ago
Ashtu siç ishte njoftuar disa ditë më parë, inxhinierët e ARRSH zbarkuan në terren për të bërë matjet dhe vlerësimet e objekteve që preken nga projekti i unazës së madhe.

"Jemi për evidentimin e objekteve që janë me certifikatë pronësie. Kanë kërkuar pranë zyrës së ARRSH dhe kanë sjellë dokumentet përkatëse dhe ne po bëjmë vlerësimin dhe matjet për gjendjen".

Në objektin që punonjësit e ARRSH, Bashkisë së Tiranës dhe AlUIZNI-t po bënin vlerësimin, i pranishëm ishte edhe pronari i një banese 3-katëshe, i cili pranon të firmosë gjetjet e ekspertëve.

"Kemi letrat, legalizimin, hipotekë të gjitha, na njoftoi grupi i ARRSH na tha ju kap unaza. Erdhën bënë matjet sipas ligjit, dhe sipas ligjit do të firmosim", shprehet banori Bashkim Drita.

Por vetëm pasi kryen disa matje, inxhinierët e ARRSH janë detyruar të largohen për shkak të banorëve që i kanë kundërshtuar.

Inxhinierët janë rikthyer sërish më pas, por vetëm me prezencën e policisë duke bërë vlerësimin e 17 objekteve me dokumente pronësie.

Më pas banorët e tjerë të zonës , që nuk ishin pjesë e banasave që po verifikoheshin, kanë penguar edhe punonjësit e Bashkisë për të hequr pemët dhe shtyllat elektrike ne segmentin nga pallati me shigjeta drejt sheshit 'Shqiponja'.

Vlerësimi i objekteve i hap rrugë nisjes se shpronësimeve. Edhe në ditët në vijim, punonjësit e ARRSH do të jenë në terren për të bërë vlerësimet.