Sindikata e Shëndetësisë kërkon lirimin e mjekëve: Arrestim i gabuar, tenderat i kreu ministria

  • 6 years ago
SHKODER - Arrestimi i disa mjekëve dhe infermierëve në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ka sjellë reagimin e Sindikatës së Shëndetësisë. Në një deklaratë për mediat, kreu i kësaj Sindikate, Paolo Kaceri i cilëson të gabuara arrestimet në radhët e bluzave të bardha, ndërsa sqaron se tenderët, për të cilët akuzohen mjekët, bëhen nga Ministria e Shëndetësisë dhe përgjegjësia duhet gjetur pikërisht aty. Ai e quan të gabuar edhe sjelljen e policisë e cila sipas tij mbërriti në Spitalin e Shkodrës me pesë furgona dhe i arrestoi mjekët në vendin e punës si të ishin kriminelë.

Arrestimet janë të gabuara. Tenderat janë kryer nga Ministria e Shëndetësisë dhe aty ta gjejnë. Po arrestohen mjekët sikur të ishin kriminelë, kjo është e pafalshme. Këta janë persona publikë dhe nuk përbëjnë rrezikshmëri. Presim lirimin e të arrestuarve. Prokuroria ka vërtetuar në të gjitha rastet që arrestimet janë bërë për arsye dytësore dhe jo për arsye objektive. Të gjithë ne mund të na vënë prangat se kemi qenë pjesë e komisioneve, por tenderat janë bërë nga Ministria. Ne nuk jemi për të moszbatuar ligjin, por Prokuroria të marrë masa mirë se ku do ta cojnë imazhin e këtyre personave dhe problemeve që ka hapur në familjet e tyre. Nëse faktohet se kanë bërë kundravajtje i falenderojmë, por këta mjekë nuk kanë bërë asnjë shkelje. I arrestojmë me forca policie në vendin e punës, vijnë me 5 mikrobusa e i marrin këtu, në një kohë kur mund t'i thërrisnin dhe ata shkonin vetë se nuk janë kriminelë. Të gjithë këta janë persona publikë. Ne shpresojmë shumë, sepse duhet të ishin liruar sot, por s'mund të dalim kundër vendimeve të Gjykatës. Nesër presim lirimin e mjekëve. Ne vend që të bëhet bujë për kriminalitetin e rritur, bëjnë bujë për sektorin e shëndetësisë.