Reforma Zgjedhore, eksperti i KiE: Ja mekanizmat që janë përdorur për të blerë vota

  • 6 years ago
Komisionit për Reformën Zgjedhore i përfundon mandati në muajin korrik, por ende nuk ka asnjë vendimmarrje dhe anëtarët vijojnë konsultimin publik. Këtë të martë u zhvillua një tryezë për shitblerjen e votës, ku u dëgjua ekspertiza e Këshillit të Evropës dhe eksperiencat e Lituanisë dhe Italisë në luftimin e këtij fenomeni. Bashkëshkryetari socialist i komisionit, Bledi Çuçi u shpreh se blerja e votës nuk është çështje vetëm e një partie dhe as e tre viteve të fundit, por duhet luftuar si fenomen i gjithë Shqipërisë.

Bashkëkryetari Oerd Bylykbashi tha se përdorimi i votimit elektronik redukton blerjen e votës, ndërsa shtoi se deri më tani nuk është dhënë asnjë dënim për shit-blerjen e votës, ndaj ky fenomen inkurajohet nga mosndëshkueshmëria.

Quentin Reed ekspert i KiE u shpreh se së pari duhet të luftohet mendësia e shqiptarëve për të mos e dhënë votën si detyrim moral për një shërbim që i është bërë. Sipas tij, sondazhet tregojnë se 20% e shqiptarëve janë përfshirë në tentativa shitblerje vote. Ai renditi 5 shembuj se si blihet vota në Shqipëri.

Së pari përmes shpërndarjes së parave e mallrave në zonat e varfra para zgjedhjeve. Së dyti premtimi për punësim në sektorin publik. Së treti, është pagesa për pjesëmarrje ose jo në votim duke ju marrë kartën e identitetit. Së katërti, përdorimi i skemës së mbështetjes sociale për fushatë dhe blerje vote. Fshirja e borxheve të dritave dhe ujësjellësit është një mënyrë tjetër. Eksperti kërkoi që të ndalohet dhënia e këtyre shkëmbimeve dhe të rritet ndërgjegjësimi për fshehtësinë e votës.

Quentin Reed ekspert i KiE

Recommended