PD: Rama ka nje skenar kriminal per te mbrojtur Xhafajn

  • 6 years ago
Demokratët kanë përshkallëzuar akuzat në adresë të Kryeministrit Rama. Në një dalje përpara mediave, nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka foli për një skenar kriminal nga ana e Kryeministrit Rama, përmes të cilit selia blu thotë se po synohet mbyllja e hetimeve për vëllain e ministrit të Brendshëm.

"Pjesë kryesore e këtij skenari është mohimi i zërit të Agron Xhafajt, që i siguroi Dëshmitarit X gjetjen dhe transportin e hashashit me garancinë se Policia nën varësinë e vëllait të tij Ministër i Brendshëm, do ti hapte rrugën. Pjesa e dytë e këtij skenari është imponimi ndaj Prokurorisë të pranojë si ekspertizë të zërit të Agron Xhafajt rezultatin e paracaktuar nga vetë Edi Rama. Prandaj Fatmir Xhafaj vazhdon të qëndrojë në detyrë: për të vazhduar manipulimin dhe shkatërrimin e provave, nëpërmjet kukullave të tij në Prokurori Arta Marku dhe Donika Prela".

Opozita ka thirrur të shtunën një protestë kombëtare kundër qeverisë dhe largimit të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, të cilin e akuzon për veprën penale të mbulimit të veprimtarisë kriminale të vëllait të tij Agron Xhafaj, të veprimtarisë kriminale të mosveprimit të ligjit antimafia, të falsifikimit të dokumenteve zyrtare dhe korrupsionit të zyrtarit të lartë në detyrë.

Tv Klan