Akuzohet si porositës i vrasjes së Cukut, arrestimi i Bledar Jambelli në 2012 në Vlorë

  • 6 years ago
Burime të Report TV bëjnë me dije se në dhjetor 2012 u arrestua Bledar Jambelli, lindur dhe banues në Mbrostar të Fierit, si i dyshuar për vrasjen e Shpëtim Mukës, Ervis Shehut (shok i Mukës), dhe plagosjen e Edvin Zanajt. Prokuroria e Vlorës kishte pezulluar procedimin penal për moszbulim të autorëve, por dosja u rihap nga Artan Cuku. Në fakt bëhej fjalë për një konflikt të nisur në 1997 dhe të vijuar edhe në Spanjë ku kanë ndodhur disa vrasje mes grupeve kriminale.

Për këtë ngjarje është arrestuar edhe Armando Zanaj, i cili ka vrarë nënën e Sokol Ramës, njërit prej drejtuesve të bandave rivale. Ishte pikërisht hapja e kësaj dosje, njëra prej pistave kryesore që dyshonte Policia se mund të kishte lidhje me vrasjen e Artan Cukut.

Artan Cuku u vra mbrëmjen e 8 prillit 2017 në ?Rrugën e Kosovarëve? në Tiranë, pranë apartamentit ku banonte. Ai ishte duke shkuar për në banesën e tij, kur një person i ka zënë pritë, ndërkohë që një tjetër ishte pas tij. Nga hetimet rezultoi se autori ishte Mikel Shallari, një 22-vjeçar nga Kuçova, i cili u zbulua nga analiza e ADN-së në një bluzë që hodhi në kazanin e mbeturinave pas krimit. Pikërisht dëshmia e Shallarit ka qenë mjaft e vlefshme për policinë dhe prokurorinë, pasi autori ka rrëfyer emrin e porositësit të krimit, Bledar Jambelli.