Rama per “Ta Nea”: E kemi shtruar edhe “Ceshtjen Came”

  • 6 years ago
Ndryshe nga sa deklaroi Ministri i Jashtëm grek Nikos Kociaz, Kryeministri Edi Rama deklaron se pala shqiptare e ka shtruar në tryezën e bisedimeve me shtetin fqinj, çështjen çame. Në një intervistë për të përditshme greke "Ta Nea", kreu i qeverisë shqiptare sqaron se ndryshe nga sa e perceptojnë segmente të politikës në Greqi, kërkesa për zgjidhjen e kësaj çështje nuk do të thotë pretendime territoriale nga ana e Shqipërisë.

"Nga pala greke, kjo çështje është perceptuar si shfaqje e një axhende të fshehtë nga ana jonë për krijimin e Shqipërisë së Madhe. Dua të jem tepër i qartë, ashtu sikurse jemi dhe me miqtë tanë në Athinë, që një pretendim i tillë territorial thjesht nuk ekziston. Burimet që e nxisin një fantazi të tillë, që nganjëherë gjejnë vend në cepat e skajshëm të skenës politike, kërcënojnë për të shtrembëruar të vërtetën dhe për të minuar të ardhmen.

Pra, duhet që të gjithë të kuptojnë qartë se për aq sa na takon ne këtu në Shqipëri ?çështja e çamëve? ekziston vetëm si çështje themelore e të drejtave të bashkëpatriotëve tanë shqiptarë të cilët dikur jetonin në vendin tuaj dhe asgjë më tepër. Sinqerisht nuk besoj se çdokush njeri i mençur do të ishte në kundërshtim me qëndrimin që ata njerëz gëzojnë të drejtën të udhëtojnë dhe të vizitojnë Greqinë, ose që ata apo fëmijët e tyre duhet të kenë mundësinë për të fituar të drejtat mbi pasurinë në rrugë ligjore, ashtu sikurse natyrisht çdo qytetar evropian vepron".

Sa i takon dakordësisë për marrëveshjen e detit, Rama lë të kuptohet se palët ende nuk janë afër një drafti final, por ai shpreson që të jetë një zgjidhje e drejtë për të dy vendet.

"Jam shumë i kënaqur që ndërsa do kemi rënë dakord, të ulemi në tryezë së bashku dhe të bisedojmë, me zemra dhe mendje të hapur, ashtu sikurse bëjnë popujt tanë të cilët jetojnë si fqinjë, si në Shqipëri dhe në Greqi, jo vetëm që mund të zgjidhim çdo mosmarrëveshje dhe keqkuptim të së shkuarës, por mund gjithashtu të gjejmë zgjidhjet më të mira për të ardhmen tonë të përbashkët. Dhe të jemi pranë një marrëveshje për kufirin detar, e cila do të jetë e drejtë dhe për Shqipërinë dhe për Greqinë".

Kryeministri flet dhe për pritshmëritë që ka Shqipëria për procesin e integrimit dhe deklaron se pret një rekomandim për hapjen e negociatave nga Komisioni Europian dhe votën pro nga Këshilli i Ministrave të BE për këtë rekomandim.