Mbetet ne burg gjyqtari Shkelqim Miri

  • 6 years ago
Gjyqtari Shkëlqim Miri në banesën e të cilit u gjetën 34 milionë lekë do të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve. Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar kërkesën e prokurorisë për të caktuar si masë sigurie arrestim me burg për 46-vjeçarin duke e cilësuar të ligjshëm ndalimin.

Seanca ka zgjatur 2 orë dhe është zhvilluar me dyer të mbyllura. Prokuroria ka paraqitur si prova përgjime dhe një video të një lokali në Fushë-Krujë. Në këto pamje kusheriri i gjyqtarit, Kujtim Miri merr një zarf ku dyshohet se janë 20 mijë Euro. Pas këtij momenti, të dënuarit Gentian Doda i dërgohet një mesazh në telefon ku i thuhet se çështja do të zgjidhet brenda disa javësh. Por mbrojtja e gjyqtarit dhe ai vetë ka nje tjetër version mbi origjinën e paravë.

Sipas avokatit Ardian Visha, paratë janë krejtësisht të ligjshme dhe se Gjykata vendosi e ndikuar nga mediat dhe situata politike.

Avokati ka zbuluar se gjyqtari vuan dhe nga probleme te rënda shendetësore dhe për këtë shkak kërkoi një masë më të lehtë.

Të hënën para gjykatës pritet të dalë sekseri Kujtim Miri. Edhe për të prokuroria do të kerkojë masën e sigurisë arrest me burg. Në kërkim janë shpallur Alban Buci, i cili gjithashtu dyshohet si sekser dhe i liruari Gentian Doda të dy të akuzuar për korrupsion aktiv. Sipas Prokurorisë, gjykatësi Shkëlqim Miri ka marrë 20 mijë Euro për të lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Matit që në 20 shtator rikualifikoi veprën penale për Dodën nga vrasje në paramendim në plagosje të rëndë me dashje duke e dënuar me 8 vite burg nga 20 që ishte vendimi i parë.

Tv Klan