Policia e Tiranes, goditje selektive ndaj lokaleve te nates. Kush jep para lejohet te shkele ligjin

  • 6 years ago
Kjo është rruga ?Mustafa Matohiti? në Tiranë, e cila nuk gjen qetësi edhe pse ka kaluar mesnata.

Baret dhe lokalet, siç shihet në këto pamje të trasmetuara në emisioni STOP, vijojnë të mbajnë muzikën në nivel të lartë duke shkelur ligjin për ndotjen akustike që ndalon volumin e zhurmës në nivele të tilla pas orës 24.

Policia nuk ndërhyn. Por e bën këtë në disa biznese të tjera. Në rrugën Papa Gjon Pali i Dytë, që kryqëzohet me Mustafa Matohitin, lokale të tjera e kanë ulur volumin, pasi policia troket në dyert e tyre pa vajtur mesnata.

Kjo situatë ndeshet edhe në zonën e Bllokut. Pas mesnatës policia e Tiranës ndërhyn në disa lokale dhe jo në disa të tjerë.

Kjo sjellje me dy standarde e policisë së kryeqytetit, kjo ndërhyrje selektive, jo vetëm është në shkelje të ligjit, por bëhet ndikuese e drejpërdrejtë edhe në treg.

Lokalet e zhurmshme janë më atraktive pas mesnatës dhe në këtë mënyrë rrisin fitimet. Dhe nga fitimet duket se varet edhe vullneti i policisë së Tiranës për të respektuar ligjin për të gjithë njësoj. Ata që u japin para vazhdojnë të pashqetësuar aktivitetin me muzikën në kupë të qiellit dhe ata që refuzojnë i kanë policët në dyert e lokaleve 1 minutë para mesnatës.

I pyetur për këtë, drejtori i policisë së Tiranës dha një prej atyre përgjigjeve standarde që përdoren për të hequr përgjegjësinë nga vetja.

"Policia e Tiranës është duke kryer veprime çdo natë, duke kontrolluar dhe duke respektuar vendimin e Këshillit të Ministrave sa i përket ndotjes së mjedisit. Megjithatë çdo denoncim në do ta verifikojmë dhe do të marrim masat paraprake".

Siç shihet qarte nga kjo përgjigje, drejtori i policisë së Tiranës nuk mbajti përgjegjësi për favorizimin që u bën policia e drejtuar prej tij disa bizneseve dhe për dëmin që u shkakton të tjerëve me ndërhyrjet e saj të njëanshme.

Ai do të duhet të sqarojë edhe arsyet e këtij selektiviteti, që bëhet në shkelje të ligjit dhe në dëm të bizneseve që e respektojne atë.

Tv Klan

Recommended