Report TV - Vlorë, futet në det për t'u larë humb jetën turistja çeke

  • 7 years ago
VLORE - Nuk kanë të ndalur tragjeditë në bregdetin shqiptar, teksa viktima e radhës është sërish një turiste e huaj, këtë herë nga Çekia, duke e çuar kështu në 28 numrin e personave që kanë humbur jetën në bregdet në vendin tonë gjatë këtij sezoni veror.

Nëse në bregdetin e Radhimës do kishte pasur roje bregdetare, qofte edhe amatore, me siguri vdekja e radhës mund të ishte shmangur.

Policia bën të ditur se ka qenë ora 11:05 kur është njoftuar përmes një telefonate se në vendin e quajtur Rexhina në Radhimë, është mbytur një person.

Sipas bluve, viktima është një turiste çeke, Rusena Mejstrikova, 74 vjeç. Ajo ka hyrë në det për t'u larë, por ka humbur jetën vetëm pak sekonda pas kontaktit me ujin.

Pavarësisht se i është dhënë ndihma e shpejtë nga pushues të tjerë, e moshuara nuk ka mundur të mbijetojë.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve të kësaj ngjarje.

Ky sezon turistik mund të quhet i trishtë sa i përket numrit te vdekjeve në plazhet shqiptare.