Report TV - Ekskluzive/Ja deputetët me makinat më të shtrenjta

  • 7 years ago
Përpos vilave, apartamenteve, trojeve dhe të ardhurave nga bizneset, blerja e makinave të reja dominon deklaratat e pasurisë së deputetëve shqiptarë, për vitin 2016. Si burim për justifikimin e vlerës së makinave, ligjvënësit deklarojnë kredi bankare, por edhe kursimet ndër vite.

Referuar deklaratës së pasurisë, dorëzuar pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, deputeti i LSI, Agron Çela, vetëm për vitin 2016, rezulton se ka blerë tre makina. Njëra prej tyre, në emër të bashkëshortes, Belma Çela, ka kushtuar 147 mijë euro.

Ndërsa deputeti i Partisë Socialiste, Sadri Abazi, gjatë vitit 2016, ka blerë një makinë me vlerë 105 mijë euro, teksa ka shitur dy automjete me vlerë 47 mijë euro. Gjithashtu, vajza e deputetit, Aedela Abazi, po gjatë viti 2016, ka blerë një makinë me vlerë 6 mijë euro.

Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, ka blerë një automjet me vlerë 85 mijë euro. Si burim, Ndoka deklaron 14 mijë euro kredi, 35 mijë euro hua dhe 33 mijë euro të ardhur nga paga. Deputeti i Partisë Socialiste, Anastas Angjeli, ka blerë gjithashtu një makinë me vlerë 40 mijë euro. Në të njëjtën kohë, edhe vajza e tij, Jona Marashi, ka marrë një kredi 3 mijë USD për të blerë një autoveturë.

Recommended