Fermerët në Cërrik po falimentojnë

  • 7 years ago
Rrezikojnë të falimentojnë dhe të humbasin gjithë paratë që fituan në Greqi. Në zonën e Elbasanit fermerët nuk po ushqejnë dot bagëtitë.

Shkak është pezullimi i ankandit për dhënien me qira të tokave bujqësore.

Në Cërrik më parë janë dhënë toka me qira të cilat shfrytëzoheshin si sipërfaqe për të ushqyer bagëtitë.

Kjo gjë ka nxitur fermerët e kthyer nga emigracioni të investonin në ngritjen e tufave të gjësë së gjallë.

Endrit Pepa ndërtoi një fermë të mbarështimit të të imëtave.

Deri në vitin 2013 familja Pepa e kishte siguruar ushqimin për tufën e vet të bagëtive përmes marrjes me qira të 19 hektarëve tokë bujqësore në një procedure ankandi të Drejtorisë së Bujqësisë.

Pezullimi për 3 vjet i procesit shkaktoi probleme serioze. Ai ka 900 krerë dele dhe po shkon në falimentim.

?Më 20 prill 2016, Këshilli i Ministrave shfuqizoi vendimin e mëparshëm dhe i rihapi rrugën dhënies me qira të tokave të pandara bujqësore. Për zbatimin e vendimit u udhëzuan Ministria e Bujqësisë dhe kryetarët e bashkive?, rrëfen Pepa.

Por një vit më pas, blegtorët e Cërrikut vazhdojnë të vuajnë pasojat e moszbatimit të këtij udhëzimi. Endrit Pepa në vit paguante deri në 500 mijë lekë qira për tokën, ndërsa sot ajo po shfrytëzohet pa asnjë kontratë, ndërkohë që atyre u mohohet e drejta e shfrytëzimit.

Familja Pepa nuk është e vetmja në këtë betejë. Faik Salla, një tjetër fermer nga Cërriku ankohet se ka pasur në përdorim kullota në vendin e quajtur Radiostacioni, por i janë marrë.

?Kam pasur 500 krerë bagëti, tani më kanë mbetur 300. Na i morën tokat e na lanë rrugëve,? thotë me dëshpërim ai?, thotë ai.

Burime nga Ministria e Bujqësisë bëjnë me dije se prej vitit 2014 administron mbi 18.000 hektarë tokë, subjekt i ligjit të dhënies me qira ose me koncesion.

Në Cërrik nuk u zhvillua ankandi për shkak të një procesi gjyqësor të hapur mbi njërën prej parcelave.

Por në një kohë kur ngërçi vazhdon, dhjetëra fermerë rrezikojnë të mos i kenë më tufat në të ardhmen duke shkatërruar gjithë investimin e ngritur./ TV KLAN

Recommended