Report TV - Lopa e ngordhur “noton” në liqenin e Fierzës, banorët: Rrezik për epidemi

  • 8 years ago
Bagëtitë e sëmura me dermatozën modulare dhe që tashmë kanë ngordhur për shkak të saj janë hedhur në ujrat e liqenit të Fierzës nga blegtorët.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e njohur si Kënetë në Kukës, aty ku një lopë e sëmurë me këtë sëmundje dhe tashmë e ngordhur është parë teksa ?noton? në ujrat e liqenit.

Një situatë e tillë ka rritur shqetësimin e komunitetit të zonës, pasi uji është ndotur nga prania e lopës së ngordhur dhe kalbja e trupit të saj do të sillte një epidemi, sakohë që aty pijnë ujë edhe bagëtitë që mbarështojnë blegtorët e zonës.

Përveç kësaj, në këtë zonë shumë peshkatarë gjuajnë edhe peshkun për ta nxjerrë më pas në treg.

Deri tani ende nuk ka shkuar asnjë nga institucionet për ta larguar kafshën e ngordhur nga ujërat e liqenit, ndërkohë që nuk dihet se nga cili vend është hedhur.

Dyshimet e banorëve të zonës së Kënetës janë se kjo lopë e ngordhur mund të jetë sjellë edhe nga Maqedonia e cila ka shumë probleme me sëmundjen e dermatozës modulare.