Report TV - Buxheti i ri, ja institucionet që kanë shkurtime dhe rritje stafi

  • 8 years ago
Në buxhetin e sapo rishikuar nga Qeveria rezultojnë në total 80,970 punonjës, 177 më pak se në fillimin e vitit. Por me gjithë ndryshimin në dukje të vogël, disa institucione janë përballur me shkurtime të forta personeli.

Është Ministria e Mbrojtjes ajo që do të përballet zvogëlimin më të dukshëm të punonjësve. Nga 9,248 që ishte numri i përgjithshëm i punonjësve të saj më 1 janar 2016, me buxhetin e rishikuar rezultojnë 8,854 punonjës, 394 më pak. Me ulje të numrit të punonjësve është përballur edhe Ministria e Financave, personeli i së cilës është pakësuar me 37 vetë.

Ministria e Drejtësisë është ajo që ka shënuar shtimin më të madh të numrit të punonjësve me rishkimin e buxhetit. Nga 4,816 punonjës në fillim të vitit, personeli i kësaj ministrie është shtuar me 79 vetë, duke arritur në total shifrën prej 4,895 punonjësve.

Rritje të dukshme punonjësish ka shënuar edhe Kryeministria, personeli i së cilës është rritur me 68 persona, duke shkuar në total në 598 punonjës, nga 530 që ishin në fillim të vitit. Shtim të personelit vërehet edhe në Ministrinë e Transporteve, në atë të Ekonomisë, si dhe në Inspektoriatin e Deklarimit të Pasurive.

Recommended