Report TV - Meta: Të miratohet tani reforma në drejtësi e ajo zgjedhore, jo vonesa

  • 8 years ago
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta u shpreh gjatë mbledhjes së Konventës Kombëtare të kësaj force politike, se reforma në drejtësi duhet të miratohet pa humbur kohë.

Kreu i Kuvendit kërkoi që reforma në drejtësi të marrë jetë brenda muajit qershor. "Reforma në drejtësi duhet të miratohet tani. 20 votat e LSI në Kuvend janë gati për miratimin e Reformës. Reforma do të hapë një faqe të re të korrupsionit. Nuk çelen negociatat pa nuk u miratua reforma në drejtësi", u shpreh Meta.

Ai theksoi drafti final i komisionit të posaçëm parlamentar është produkt i ekspertëve ndërkombëtarë. "EURALIUS e OPDAT dorëzuan opinionet e tyre për çështjet që nuk ishin specifikuar në draftin e Komisionit të Venecia", tha Meta.

Edhe reforma zgjedhore, tha kryetari i LSI, Ilir Meta, duhet të miratohet pa humbur kohë. "Ta miratojmë tani e pa humbur kohë. Në mënyrë që vota e çdo qytetari shqiptar të jetë e shenjtë dhe e pacenueshme. LSI dhe përfaqësuesi i saj në komisionin parlamentar për reformën zgjedhore do të bëjë edhe propozimet konkrete në zbatim të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe në mënyrë të veçantë lidhur me transparencën elektorale të partive dhe për të përshkallëzuar në mënyrë ekstreme dënimin e atyre që guxojnë të blejnë vota, që guxojnë të tjetërsojnë votat e qytetarëve dhe që guxojnë të përdorin presionin e pushtetit apo detyrës në dëm të rregullave të barabarta të lojës elektorale. Këto janë standarde të demokracisë të një Shqipërie që synon anëtarësimin në BE", deklaroi Meta.