Kosovë, dështon zgjedhja e kreut të kuvendit - News, Lajme - Vizion Plus

  • 9 years ago
http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Ngërçi institucional në Kosovë ende nuk po zgjidhet. Kuvendi dështoi të zgjedhë kryetarin gjatë seancës së sotme. Kandidati i Partisë Demokratike, Arsim Bajrami, mori 44 vota pro dhe 61 kundër, teksa 11 prej deputetëve abstenuan. Menjëherë pas votimit, kryesuesja e seancës, Flora Brovina ndërpreu seancën, duke paralajmëruar vazhdimin e saj, në një të ardhme por nuk caktoi një datë. Pas kësaj koalicioni paszgjedhor mes LDK-së, AAK-së, Nismës dhe Vetëvendosjes doli në një deklaratë të përbashkët, ku u zotuan për krijimin e institucioneve. Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani tha pas seancës se blloku pret kryesuesen Brovina që të caktojë vijimin e seancës. Ndërsa deputetja e PDK-së Edita Tahiri mbështeti kolegen e saj Brovina për vendimin e ndërprerjes së seancës.Deputetët u mblodhën në seancë pa ndonjë marrëveshje që do të nxirrte vendin nga ngërçi politik në të cilin ndodhet që nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit. Në fund të muajit gusht, Gjykata Kushtetuese shpalli të pavlefshëm vendimin për zgjedhjen e kryetarit të parlamentit në seancën e 17 korrikut dhe i njohu Partisë Demokratike të drejtën që të propozojë kandidatin për kryetar, si grupi më i madh parlamentar i dalë nga zgjedhjet. Ndërkaq, zyrtarët e bllokut politik i krijuar nga Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën dhe lëvizja Vetëvendosje, thonë se i kanë 63 deputetë që mund të zgjedhin udhëheqjen e parlamentit dhe të formojnë më pastaj edhe qeverinë.Në vendimin e fundit Gjykata Kushtetuese tha se u takon deputetëve që të gjejnë një zgjidhje, meqë kushtetuta nuk parashikon që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Meqë as dita e sotme nuk çoi në një zgjidhje, paralajmërohet mundësia e ndërhyrjes së presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga për të ndërmjetësuar, ose e diplomatëve perëndimorë.

Recommended