Mazhoranca voton buxhetin, opozita kundër - News, Lajme - Vizion Plus

  • 9 years ago
http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Përveç 350 milionë dollarëve që do të shkojnë për të paguar detyrimet e prapambetura të shtetit ndaj firmave private, një shifër e re ka dalë gjatë diskutimit në parlament të projektbuxhetit të vitit të ardhshëm, shifer që shkon deri në 720 milion dollarë. Vetë kryeministri Edi Rama ka treguar strukturën e të gjitha llojeve të borxheve që qeveria ka ndaj të tetëve, të cilat fillojnë që nga vonesat në rimbursimin e TVSH-së dhe tatim-fitimit për biznesin dhe deri në fatura energjie që institucione të ndryshme kanë ndaj kompanisë CEZ, apo edhe kontrata që ekzekutivi duhet të paguajë për pushtetin lokal. Por ish-kryeministri Berisha nuk ka pranuar të marrë përsipër asnjë qindarkë të këtij borxhi. duke folur përpara deputetëve, ai ka thënë se këto janë alibi te kabinetit Rama për të justifikuar rritjen e taksave dhe të borxhit publik. Një buxhet të ngjashëm më 2014-ën ku pjesa kryesore i shkon shlyerjes se borxhit e jo investimeve paralajmëroi ministri i Zhvillimit Ekonomik Ahmetaj edhe për vitet e tjera. Ndërsa për ish-kreun e Financave Bode, qytetarët shqiptarë do të paguajnë më shumë në 2014-ën jo vetëm si pasojë e rritjes së çmimeve nga rritja e taksave, por dhe nga dobësimi i lekut kundrejt monedhave të tjera. Kjo ka qenë një nga seancat më të gjata në historinë e parlamentit shqiptar, e cila zgjati më shumë se 25 orë. Mazhoranca votoi vetëm me votat e saj projekt-ligjin për buxhetin 2014, si dhe ndryshime të tjera në 7 ligje financiare. Viti i ardhshëm do të ketë buxhetin më të madh që ka patur ndonjëherë Shqipëria, por do të mbajë mbi vete edhe borxhin më të madh. Ndërsa struktura e investimeve pëson një riorientim sa i përket sektorëve prioritarë: më shumë para për shëndetësinë, arsimin dhe bujqësinë dhe më pak për ndërtime rrugësh. 2014-ta rikthen gjithashtu taksën progresive për tatimin e pagave dhe rrit tatimin për biznesin e madh e të mesëm.