Digjitalizimi, Qeveria kërkon nga ONE uljen e taksës për 36%

  • 9 years ago
Kjo do të thotë se televizionet kombëtare në vend të shumës së tanishme prej 156 mijë euro, do të duhej të paguajnë vetëm 100 mijë euro për digjitalizim, ndërsa ato rajonale në vend se 20 mijë e 400 euro, tani do të duhej të paguajnë vetëm 13 mijë e 56 euro. Ministri i Shoqërisë Informatike i bëri thirrje operatorit celular ONE që të ulet me televizionet, por edhe me menaxherët në Lubjanë dhe t'i kontraktojnë çmimet e reja. Ai shprehet se nëse nuk arrihet marrëveshje, prej një qershorit televizionet do të emetojnë sinjal digjital përmes operatorit kabllor.

"Nëse nuk merren vesh deri më 1 qershor, ekziston mënyrë që të gjitha televizionet të emetojnë përmes operatorit kabllor. Atëherë cili është qëllimi? Qëllimi është që të fitohet televizion digjital. Ndërsa të gjithë nuk do të mbeten të emetojnë përmes kabllores për shkak se disa tashmë kanë vendosur marrëveshje me ONE", tha Ivo Ivanovski -- ministër i Shoqërisë Informatike.
Përfaqësuesit e mediave komerciale, shprehen se kanë ende vërejtje që duhet të përmirësohen para se të miratohen ndryshimet në ligjin për radiodifuzion në pjesën rreth digjitalizimit, si dhe në ligjin për media.

"Kërkojmë që prodhimi vendor i programit te RTVM të jetë më i madh se përqindja e programit vendor te mediat komerciale. Tani është 40 deri 50 për qind te mediat komerciale, 40 dhe 50 për qind te servisi publik. Konsiderojmë se te servisi publik i financuar nga qytetarët kjo përqindje duhet të jetë së paku 80 për qind. Kemi vërejtje rreth lirisë dhe të drejtave të gazetarëve, konsiderojmë se këtu nuk janë të mbrojtur as gazetari, as mediat. Ndërsa kemi edhe një varg vërejtjesh tjera", deklaroi Ivan Mirçevski -- drejtor i televizionit Kanal 5.

Risi është edhe ajo që Ministria do ta ndryshojë pjesën në ligj në të cilën televizionet rajonale nga Tikveshi dhe Velesi, gjegjësisht televizionet të cilat bëjnë pjesë në rajonin D-1 do të emetojnë nga komunat e tyre deri në fillim të Shkupit. Me këtë, praktikisht këto televizione rajonale nuk do t'u jenë konkurrencë jolojale televizioneve kombëtare, të cilat për digjitalizimin paguajnë një shumë pesëfish më të lartë.

"Duke marrë parasysh propozimin që e kishin televizionet rajonale dhe kombëtare, rajoni i emetimit D-1 të ndahet pikërisht para fillimit të komunave të Shkupit. Që do të thotë se ato do të emetojnë në nivel rajonal nga komuna e tyre deri në fillim të Shkupit. Me këtë do të kenë kursime nga kompensimi që duhet t'ia paguajnë Këshillit për radiodifuzion", tha Ivo Ivanovski -- ministër i Shoqërisë Informatike.

Ministri Ivanovski mbetet në qëndrimin se digjitalizimi do të fillojë prej një qershorit, pa qenë i sigurt se ligji do të marrë dritë jeshile dhe do ta gëzojë mbështetjen e deputetëve në Kuvend. Ndërkaq, nuk u dha garanci mediave kombëtare rreth pranimit të vërejtjeve të tyre lidhur me ndryshimet e ligjeve. Verica Pavllovska