Në burgun e Larisas me hasmin, Bashkim Gatali apel për ndihmë autoriteteve

  • 9 years ago
Greqi- Bashkim Gatali, një shtetas shqiptar i cili ndodhet në paraburgimin e burgut të Larisas në Greqi, ka bërë apel për ndihmë nga autoritetet shqiptare, mbrëmjen e djeshme në emisionin «Alarm».

Prej 7 muajsh Gatali ndodhet në të njëjtin burg me palën e personit që ka vrarë, i cili e kërcënon se do ta vrasë. Pas kërkesave të vazhdueshme pranë autoriteteve të burgut grek, ky i fundit jo vetëm që nuk ka marrë asnjë masë për transferimin e tij në një burg tjetër, por ka ushtruar edhe dhunë.

" Unë e e kam djalin në burg në Greqi, ka bërë një vrasje, është në burgun e Larisës. Aty kanë qëlluar të dy me palën tjetër, atje grindën tani. Edhe policët grekë e kanë vënë në një dhomë, nuk e nxjerrin, një orë në ditë e nxjerrin, nuk e lënë të bashkohet me të gjithë, si rrinë të tjerët. Unë dua që djalin tim ta largojnë nga Larisa, ta çojnë në një vend tjetër, që të mos vriten se ai i ka çuar fjalë që të vriten" denoncoi e ëma e Bashkimit.

"Unë hasmin e kam këtu. Unë jam tek katra, më shikon tek penxherja, e ke parasysh. Dola këtu, ishim gati të vriteshim. Ky drejtori i burgut, më gjuajtën se nuk desha të futem tek kjo godinë se e dija që kisha hasmin. Këta kanë filluar me racizëm. Ku janë shqiptarë na kanë vënë me u çarë me njëri-tjetrin" tha Bashkim Gatali në një lidhje telefonike nga burgu i Larisas.

Në lidhje me këtë problem e ëma e tij iu drejtua për ndihmë Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, por qëndrimi i Ministrisë rezultoi totalisht indiferent, teksa jeta e këtij të burgosuri është çdo sekondë në rrezik.

Gazetarët e « Alarm » kontaktuan edhe me institucionin e Avokatit të Popullit, i cili përmes përfaqësuesve të tij, u shpreh se kompetencat e këtij institucioni janë vetëm brenda territorit shqiptar.

Bashkë me apelin për ndihmë të Bashkim Gatalit, emisioni « Alarm » transmetoi dje dhe intervistën telefonike me një tjetër shqiptar i cili vuan dënimin po në burgun e Larisas në Greqi.

Ai deklaroi se të burgosurit shqiptar atje ishin vendosur të gjithë në një qeli, duke u diferencuar nga shtetasit me kombësi të tjera dhe se mbaheshin të izoluar, duke ju mundësuar dalje në ambientet e tjera jashtë qelisë vetëm për një orë, duke shkelur kështu hapur të drejtat e të burgosurve.

Në lidhje me këto denoncime gazetarët e « Alarm », iu drejtuan me një kërkesë Komitetit Europian për Parandalimin e Torturës me qendër në Strasburg.