Zgjedhjet në PD, Ora News zbardh udhëzimin e PD-së

  • 9 years ago
Tiranë - Partia Demokratike i ka hapur rrugë antarësimeve të reja në degën më të madhe të saj, kryeqytetit dhe rrethinave të Tiranës, përmes një procesi në fund të të cilit do të jenë zgjedhjet në parti.

Kreu demokrat Lulzim Basha, ka mbledhur në mesditë strukturat drejtuese për të çelur zyrtarisht dyert për anëtarët e rinj të Partisë Demokratike, por edhe për rifreskimin e të dhënave të antarësisë aktuale të saj.

Në takimin prej afro 20 minutash, janë përcaktuar edhe koordinatorët që do të ndjekin procesin e antarësimeve, ku bie në sy riaktivizimi i ish deputetëve të PD-së.

Mes emrave janë Jemin Gjana, Tritan Shehu, kooordinatorja e marrëdhënieve me publikun Grida Duma si dhe një sërë prurjesh të reja dhe ish-drejtues të agjencive dhe drejtorive gjatë kohës që PD ishte në pushtet.

Çdo njësi bashkiake në Tiranë do të ketë 4 koordinatorë, ndërsa komunat e bashkitë nga 1 koordinator dhe pritet që në total numri i tyre të jetë më shumë se 60.

Në mbledhje është prezantuar edhe udhëzimi për zgjedhjet në degën e Tiranës ku kërkohet që deri në 2 qershor të ketë përfunduar procesi i rifreskimit të strukturave.

Në qershor pritet të mblidhet Kuvendi Kombëtar i cili zgjedh fillimisht Këshillin Kombëtar që do të miratojë ndryshimet në statutin e selisë blu. Më pas do të jetë Këshilli Kombëtar, i cili do të zgjedhë kryesinë e re, nënkryetarët, sekretarin e Përgjithshëm dhe sekretarët e çështjeve specifike në Partinë Demokratike.

Category

📺
TV

Recommended