'Antishpifja'/ Meta: Qeveria e Kuvendi njëpartiak të tërhiqen nga modeli i neveritshëm Lukashenko!

  • 4 years ago
TIRANË- Ashtu siç kishte premtuar, me ardhjen e muajit shtator, presidenti Ilir Meta i është rikthyer sulmeve ndaj qeverisë. Paketa Anti- Shpifje është vendosur kësaj here në vëmendjen e kreut të shtetit, i cili e cilëson si një përpjekje flagrante të qeverisë për të kapur mediat, duke i bërë thirrje që të tërhiqet nga ai që quan " modeli i neveritshëm Lukashenko" (diktatori në Bjellorusi).

"I bëj thirrje të fortë Qeverisë dhe Kuvendit njëpartiak të tërhiqet nga modeli i neveritshëm lukashenko për censurën në media dhe të mos vijojë në errësirë me planet për të vënë në fuqi një ligj që bie ndesh qartazi me Kushtetutën dhe Opinionin e Komisionit të Venecias", shkruan kreu i shtetit.

Meta thotë se është në krah të gazetarëve, teksa ka ripërsëritur thirrjen e tij për t'u bashkuar dhe për të hapur një "media transparente".

"Garantoj se do të jem përherë në krah të gazetarëve të pavarur e kurajozë për të mos lejuar kurrë instalimin e modelit të neveritshëm Lukashenko në Shqipëri.Duke shprehur solidaritetin më të fortë me të gjithë gazetarët që janë në një presion brutal nga të gjitha drejtimet, përsëris edhe një herë thirrjen, ftesën dhe angazhimin tim të sinqertë për të themeluar së bashku një media transparente, ku çdo shqiptar të jetë aksioner, për përmbysjen njëherë e mirë të regjimit të neveritshëm që synohet të instalohet në media", shkruan Meta.

Paketa Anti- Shpifje u hodh poshtë nga Komisioni i Venecias, sipas së cilëve ky ligj kishte paqartësi, ku nuk ishte dakord me kompetencat që i jepej Autoritetit Audioviziv të Medias dhe Komisionit të Ankesave, si dhe me gjobat e parashikuara. Nisur nga kjo, mazhoranca deklaroi se do të reflektonte të gjitha vlerësimet e 'Venecias' për të bërë pa humbur kohë miratimin në Kuvend.