Gjyqi për Pançevski, hidhet poshtë ankesa

  • 4 years ago
Gjykata në Veles është kompetente për ta gjykuar Vlladimir Pançevskin. Gjykata e Apelit në Shkup e hodhi poshtë kërkesën e tij për përjashtim të gjykatës dhe kryetares së gjykatës. Me një vonesë dy- orëshe pasi pritej ky vendim, gjykimi vazhdoi edhe sot. U dëgjuan edhe katër dëshmitarë të tjerë, punonjës në Gjykatën Penale të Shkupit. Edhe sot, ashtu si në dy gjykimet e mëparshme, avokatët e Pançevskit kërkuan që ai të lirohet nga paraburgimi dhe të vazhdojë të mbrohet në liri. Ata treguan një dokument nga Agjencia e Punësimit, duke dëshmuar se Pançevski ende është i punësuar, që do të thotë se si gjykatës ka imunitet. Megjithatë, vendimin paraprak për shkarkimin e tij, të marrë nga Këshilli Gjyqësor, e konfirmoi edhe Gjykata Supreme.

Dje në gjykatën e Velesit në cilësinë e dëshmitarëve u ftuan ish kryetari dhe ushtruesi i detyrës kryetarë i Gjykatës penale të Shkupit, Stojançe Ribarev dhe Ivan Xholev. Ata sqaruan si zhvillohet procesi i shpërndarjes së lëndëve gjyqësore në gjykatë. Ndryshe Pançevski akuzohet se derisa ishte kryetarë i Gjykatës penale lëndët gjyqësore i ka ndarë në dorë tek gjykatës të përshtatshëm dhe që ka vlerësuar se janë të besueshëm për të. Në këtë mënyrë janë shpërndarë mbi 40 lëndë, mes tyre edhe dy aktakuza që i ngriti PSP-ja tashmë e shuar. Pançevski akuzohet edhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ai pas tre ditëve mosparaqitje, në burgun e Shutkës erdhi vetë më 15 korrik. Gjykimi vazhdon të martën e ardhshme ku duhet të dëshmojnë dy dëshmitarë të tjerë dhe një ekspert.

Bojna Stojanovski