Report TV - Lushnje, makina zhytet në ndërtesë pasi aksidentoi të moshuarin me biçikletë

  • 4 years ago
Një aksident është shënuar paraditen e sotme në vendin e quajtur ish-postblloku apo kalimi i hekurudhës.Në hyrjen veriore të Lushnjës një mjet tip 'Skoda fabia' me targa AA 178 YL, i drejtuar nga një 22-vjeçar ka përfunduar duke u përplasur me një nga godinat e hekurudhës shqiptare, ndërsa para se të përplasej ka goditur dhe nje 60-vjeçar që udhëtonte me biçikletë.

Shpejtësia e madhe në këtë segment të drejtë, por edhe biçikletat e tregtarëve ambulantë që furnizohen në tregun e shumicës së fruta perimeve janë bërë shpesh herë shkak për aksidente.

Drejtuesi i biçikletës është marrë me urgjencë për t'u dërguar në spital për të marrë mjekim dhe gjendja e tij sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetën. Nga ana e saj policia në vendngjarje po heton për shkaqet e aksidentit dhe ka shoqëruar të riun 22-vjeçar nga qyteti i Fierit për të zbardhur rrethanat e aksidentit.

Në këtë vend është e disata herë që makinat përfundojnë në godinën e hekurudhës. Vetëm një vit më parë një tjetër i ri humbi jetën nga përplasja me këtë godinë, ndërsa sot fatmirësisht nuk kemi viktima.

Ndërkohë më herët dy persona janë vënë në prangat e policisë Lushnje për shkak të aksidenteve rrugore.