Projektligji/ Dokumenti i identifikimit për këtë kategori moshe zgjat deri në fund të jetës

  • 4 years ago
TIRANE-Komisioni i Sigurisë ka miratuar në mbledhjen e sotme projektligjin e propozuar nga ministria e Brendshme për letërnjoftimet, kartat e identitetit për kategorinë e personave mbi 75 vjeç. Ministria e Brendshme propozon që letërnjoftimi, pra karta e identitetit për personat e moshës mbi 75 vjeç të jetë pa afat vlefshmërie, pra për aq kohë sa janë në jetë. Nga ky projektligj përfitojnë 150 mijë të moshuar. 

"Marrja e shenjave të gishtërinjve për personat mbi 75 vjeç, të cilët riaplikojnë për t?u pajisur me dokument të ri identifikimi, sjell problematika për shkak të pamundësisë fizike. Ndaj propozohet që dokumenti ekzistues për këtë kategori i marrë nga mosha 75 vjeç e sipër do të jetë i vlefshëm për aq kohë sa jetojnë" thuhet në projektligj.

Vendimi është vetëm për kartat e identitetit, jo pasaportat biometrike. "Nuk e kemi parë të nevojshme për ta futur këtë kategori. Pasaporta është mjek identifikimi ndërkombëtar, është më delikate" tha Rovena Voda.

Sipas ministrisë së Brendshme, kjo bëhet për të shmangur koston e aplikimit si dhe marrjen e shenjës së gishtërinjve për shkak të pamundësisë fizike për të shkuar pranë zyrave të aplikimit. 

Zv/ ministrja e Brendshme Rovena Voda u shpreh gjithashtu në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë se nuk do të ketë shtyrje të afatit për aplikim për kartë identiteti dhe pasaportë biometrike përtej 31 dhjetorit 2020. "Kjo bëhet për ata që u skadon karta ID dhe pasaporta brenda 2020 dhe shtyhet deri në fund të vitit. Kjo bëhet për shkak të atyre që ndodhen jashtë për shkak të situatës së krijuar nga COVID-i" tha Voda.