55-vjeçari Ardian Çapja që u qëllua me snajper ushtarak mëngjesin e së hënës pranë banesës së tij pas tre ditësh ka dalë nga spitali i Traumës. Ai la spitalin për të vijuar trajtimin në shtëpi, pasi ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor ka dyshime për 3 persona si pjesmarrës në atentat. Krahas konflikteve me familjet e tjera në Elbasan hetuesit po verifikojnë një konflikt të Çapjas jashtë vendit.
Ardian Capja i plagosur nga atentati i të hënës në Elbasan, pas operimit dhe kujdesit intensiv për 3 ditë me radhë në Spitalin e Traumës, ka lënë ambientet spitalore. 55-vjeçari i cili kishte një plagë tejshpuese në shpatull do të vijojë kujdesin intensiv në banesën e tij. Largimi nga spitali është bërë me vetë kërkesën e 55-vjeçarit, ndërsa burime nga bluzat e bardha bëjnë me dije se gjendja e tij shëndetësore është e stabilizuar dhe jashtë rrezikut për jetën. Çapja i cili i shpëtoi dhe atentatit të tretë ndaj tij, është larguar darkën e të mërkurës nën masa të rrepta sigurie, të familjarëve por dhe i shoqëruar nga punonjës policie.