Video-kompromentuese Soreca-Kuko?! Meta: Shantazh, do kërkoj të zbulohen urdhëruesit!

Report TV

by Report TV

10 views
TIRANË - Presidenti Ilir Meta e quan shantazh lajmin e përhapur disa muaj më parë në disa media në Shqipëri, se mes ambasadorit të Bashkimit Evropian në vendin tonë, Luigi Soreca, dhe zv.ministres së Punëve të Brendshme, Romina Kuko, ka një raport tjetër, përveç atij zyrtartit. Përmes zëdhënësit, Tedi Blushi, Presidenti Ilir Meta shprehet se do t'i kërkojë institucioneve të drejtësisë, Policisë dhe Shërbimit Informativ Shtetëror, të nisin hetimet për të zbuluar se cilët janë urdhëruesit për përhapjen sipas tij të qëllimtë dhe dashakeqe të "disa lajmeve për gjoja ekzistencën e një video kompromentuese".

Në reagimin e tij, presidenti thotë se shpreh solidaritet të plotë me ambasadorin dhe zëvendësministren, ndërsa i drejtohet me një thirrje edhe gazetarëve që të distancohen "nga çdo skenar i fabrikimit të lajmeve të rreme me qëllim shantazhimin e Ambasadorit të BE dhe çdo diplomati tjetër në Tiranë".

Ftesa e kreut të shtetit shkon edhe për shoqërinë civile dhe opinionin publik për të dënuar këtë "shantazh të paprecedentë" siç ai shprehet, por i orienton që të përqendrohen në "denoncimin dhe distancimin nga aktet e rënda të Rilindjes, për kapjen e sistemit të drejtësisë". Në veçanti - thotë Meta - duhet të fokusohen tek miratimi nga Kuvendi i asaj që Meta e quan Krye-KÇK dhe që lidhet me heqjen e kompetencave të presidentit në betimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese.

Një pikë tjetër që Presidenti Ilir Meta thotë se do të kërkojë hetim të përbashkët me BE-në, është pikërisht edhe situata tepër e rëndë dhe e patolerueshme sipas tij, në Gjykatën Kushtetuese dhe të Lartën.

Reagimi i kreut të shtetit vjen në këtë moment, rreth 3 muaj pas përhapjes së lajmeve, për faktin se herë të parë kryediplomati i BE-së, Soreca reagoi publikisht një ditë më parë, ku i quajti shpifje të qëllimta. "Nuk reagova publikisht sepse nuk doja t?i jepja rëndësi lajmeve të rreme. Këto janë të këqija, shpifje. Ata që shpërndajnë lajme të rreme, pas disa kohe kjo sjellje e keqe u shkon kundër?, u shpreh Soreca.