Report TV -Trotuaret e Fierit mbushen me prodhime artizanale, nënat duararta: Kemi shumë kërkesa

  • 4 years ago
FIER- Në kujtimet e fëmijërisë secili prej nesh ndan imazhet e gjysheve të ulura në një cep duke punuar me shtiza. Duart e tyre edhe pse të rrudhura nga vitet e jetës sërish nuk ndienin lodhje, madje kalonin gjithë natën duke thurur triko e çorape shumëngjyrëshe. Për festat e fundvitit për nipërit e mbesat një triko me një bredh të qëndisur ishte dhurata perfekte.

Kjo traditë ka arritur të mbijetojë edhe me kalimin e viteve sërish nënat vijojnë punimet me dorë. Por tashmë disa prej tyre thurin triko e çorape për të siguruar të ardhura. Gratë fierake çdo ditë mbushin trotuaret e qytetit me punime me shtiza të ndërthurura me shumë mjeshtëri, pasion dhe përkushtim. Edhe pse moti është i ftohtë sërish duart e tyre nuk ndalojnë së punuari me shtiza.