A do e dekretojë anti-shpifjen? Meta: Do ta shikoj me vëmendje, pastaj do të flas!

  • 4 years ago
TIRANE-Presidenti Ilir Meta nga aktiviteti 'Liria e shprehjes përballë të drejtave të njeriut' të organizuar nga Avokati i Popullit, u shpreh se fatkeqësisht liria e medias në vendin tonë është përkeqësuar, ndërsa theksoi se për paketën anti-shpifje që u miratua ditën e mërkurë në Kuvend mes debateve, do të vendosë nëse do ta dekretojë apo jo kur ta shikojë me vëmendje. Kreu i shtetit tha se do të flasë me argumente duke paralajmëruar kthimin e dekretit në Kuvend. Ai e cilësoi gjendjen e medies sot në Shqipëri një kambanë alarmi. 

"Së pari duhet ta shoh me vëmendje sepse është folur vazhdimisht për ndryshime të ndryshme dhe të minutave të fundit kështu që do ta shikojmë të zbardhur të gjitha aktet që janë miratuar, relacionet përkatëse dhe kuptohet që përgjigja do të jetë në kohën e duhur, e argumentuar besoj dhe do të jetë transparente si gjithmonë. Liria e shprehjes është një nga parimet më të shenjta. Angazhimi i shtetit dhe shoqërisë në përkrahje të lirisë së medias është tregues i demokracisë.

Fatkeqësisht liria e medias në vendin tonë është përkeqësuar, po ashtu edhe kushtet. Numri i protestave është rritur. Numri i reporterëve që janë larguar është rritur. Disa pronarë e kanë asgjësuar postin e kryeredaktorit të lajmeve e bëjnë vetë. Këto janë kambana alarmi ku ndodhet liria e shprehjes në Shqipëri. Shqiptarët nuk duhet të harrojnë diktaturën dhe vuajtjet nga mohimi i kësaj të drejte. Por kambana më e fortë është shpopullimi" tha Meta.

Kreu i shtetit kishte një mesazh edhe për krizën politike. "Një mjedis politik i përçarë nxit gjuhën e urrejtjes, urojmë që edhe tërmeti të shërbejë si moment reflektimi, pasi vetëm dialogu na garanton demokraci të suksese dhe frymëzuese" tha ai. Në javën e fundit u zhvillua një debat i fortë për paketën anti-shpifje, që shumica kaloi në Kuvend, ndërsa opozita dhe disa shoqata gazetarësh e kundërshtuan

Recommended