Si do të mblidhen të ardhurat në 2020? Plan optimist, pesha përsëri tek TVSH

  • 5 years ago
Tatimet dhe doganat pritet të sjellin në buxhetin e shtetit në vitin 2020, rreth 334 miliardë lekë, shifër e cila do të jetë 20 miliardë më shumë se viti aktual. Ministria e Financave në projektbuxhetin e hartuar peshën më të madhe në mbledhjen e të ardhurave përsëri ia ka faturuar Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, pasi ky zë pritet të sjellë në buxhet 151.6 miliardë lekë. Kjo shifër është 8.1% më shumë se parashikimi fillestar i këtij viti.

Mbledhja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për 9 muajit e këtij viti nuk është realizuar në asnjë muaj, gjë që çoi edhe në shkarkim të drejtorit të Tatimeve tre muaj pasi u emërua në detyrë Enton Duro. Mosrealizimi i planit në masën e parashikuar për ekspertët lidhet me subjektivizmin që tregojnë institucionet në hartimin e buxhetit, fakt që u pranua edhe nga vetë ministrja pak ditë më parë, e cila theksoi se pavarësisht se optimizmi për të ardhurat ka qenë më i lartë nga sa duhet, përsëri ky vit parashikohet të ketë një realizim të madh të planit.