Cërrik, karroca me gomar i pret rrugën, makina përplaset me një tjetër, dy viktima

  • 5 years ago
ELBASAN- Një aksident tragjik ka ndodhur në fshatin Kamuna të Cërrikut ku si pasojë kanë humbur jetën dy persona si dhe janë plagosur dy të tjerë.

Viktimat janë Agron Shermadhi 48 vjeç banues në fshatin Lumas, Cërrik, i cili ishte pasagjer në një nga automjetet e përplasur si dhe Agim Menci 50 vjeç i cili drejtonte një karrocë të mbushur me misër që tërhiqej nga një gomar.

Ndërkohë dy drejtuesit e automjeteve, që kanë mbetur të plagosur janë Doris Shermadhi nipi i viktimës Agron Shermadhi si dhe Andis Hysa.

Pikërisht karroca e viktimës Agim Menci dyshohet të jetë bërë shkak për këtë aksident. Burime për Report Tv bëjnë me dije se karroca ka dalë nga ara ku viktima kishte mbledhur misër dhe i ka prerë rrugën makinës tip 'Benz'. Shoferi i kësaj makine D. Sh., banues në Cërrik ka devijuar në mënyrë që ta parakalonte karrocën por më pas është përplasur me mjetin tjetër tip "Benz", me drejtues shtetasin A.H., banues në fshatin Kamuna.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se njëri prej të plagosurve është dërguar drejt spitalit të Traumës në Tiranë për shkak të gjendjes së rëndë ndërsa i plagosuri tjetër po në gjendje të rëndë është në spitalin kirurgjik të Elbasanit.