#rtvora Punonjësit e klubit të futbollit të Vllaznisë në stadiumin 'Loro Borici' dhe "Reshit Rusi" janë ngritur në protesta.
Punonjësit, të cilët janë në varësi të bashkisë, thonë se kanë 6 muaj pa marrë pagat.
Së bashku me kreun e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë ( BSPSH) ata kërkojnë zgjidhjen e problemit.
"Nuk kërkojmë rroga shtesë, as vjetërsi pune dhe as 15 ditët e pushimit. Kërkojmë rrogën minimale. Asnjë në Shkodër nuk e ka rrogën më të vogël sesa ne dhe nuk na e japim. Këtu punojnë njerëz që janë për bukën e gojës, nuk kanë me çfarë të paguajnë dritat dhe ujin. Nëse sëmuren nuk shkojnë dot në spital sepse nuk paguajnë dot.
Ka 6-7 vite që ndodhin këto probleme dhe siguracionet nuk paguhen. Punën e kemi bërë në mënyrën më të mirë të mundshme. Është punë e vështirë por ja kemi dalë. Nuk kërkojmë lëmosh por rrogat tona. Kemi bërë punën, të na paguajnë hakun,"-tha një nga protestuesit.
Ndërkohë kreu i BSPSH tha se problemi vjen për shkak të Prefekti i Shkodrës nuk ka miratuar fondin e akorduar të Këshillit Bashkiak për pagesën e punojësve.