Lezhë-Shpërthimi në karburant pas shkëndijës në gjenerator, 7 të plagosur, mes tyre 2 të mitur

  • 5 years ago
LEZHË- 7 persona të plagosur është bilanci zyrtar nga shpërthimi i një bombole në një karburant në autostradën Lezhë-Laç. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, rreth orës 22:10, ku një makinë është ndalur në karburant, për t'u furnizuar me gaz dhe në këtë momente ka shpërthyer bombola. Për pasojë kanë mbetur të plagosur 5 persona, nga një familje, mes tyre edhe dy vajza të mitura 5 dhe 2 vjeç, si dhe dy punonjësit e karburantit.

Konkretisht kanë marrë lëndime për shkak të shpërthimit, Bardhok Bushati 36 vjeç, Altin Bushati, 33 vjeç, Donika Bushati, 33 vjeçe, 2 vajza të mitura 5 dhe 2 vjeçe dhe dy punonjësit N.P. vjeç 40 dhe P.L.. Mësohet se dy nga të plagosurit, përkatësisht punonjësi N.P. dhe shoferi Bardhok Bushati ndodhen në Spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë mjekësore më të specializuar, nga ku siç raporton gazetarja e Report Tv, Doris Sallaku, janë në gjendje të rëndë. Report Tv ka mësuar se shkak për shpërthimin në karburant është bërë shkëputja e energjisë. Në ato momente, punonjësit kanë shkuar për të ndezur gjeneratorin dhe kjo ka sjellë shkëndijë elektrike, bëjnë me dije për gazetarin Arsen Rusta burime nga grupi hetimor, duke shkaktuar një shpërthim të fortë. Nga shpërthimi, i cili ka qenë i përmasave të mëdha, janë dëmtuar e djegur disa automjete që ndodheshin të parkuara.
Shqiptarja.com sjell foto nga vendngjarja, një ditë pas shpërthimit, ku mund të vihet re edhe makina e dëmtuar në pjesën e përparme të saj, ku mendohet të ketë qenë i plagosuri që ka marrë dëmtime në fytyrë.