Super aksion në Durrës, arrestohen 3 gjobëvënësit që ishin kthyer në tmerrin e një biznesmeni

  • 5 years ago
DURRËS- Policia ka arrestuar 3 persona në Durrës falë një super aksioni të zhvilluar së fundmi ku kanë marrë pjesë edhe Forcat e Posaçme Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Të arrestuarit janë -L. Z., 45 vjeç, banues në Fushë Krujë, me rrezikshmëri të lartë në fushën e krimeve ndaj personit, -E. Sh., 26 vjeç, banues në Krujë dhe -K. E., 40 vjeç, banues në Xhafzotaj, Durrës.

Këta shtetas janë arrestuar pasi akuzohen për gjobëvënie ndaj një biznesmeni.

Njoftimi:

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar "Gjobëvënësit".

Operacioni nga Seksioni për Hetimin ndaj Personit e Pasurisë, në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.

Në pranga 3 shtetas për gjobëvënie ndaj një biznesmeni, njëri prej tyre me rrezikshmëri të lartë në fushën e krimeve ndaj personit.

Sekuestrohet një sasi eurosh, e paguar si kësti i radhës nga biznesmeni.

Pas një hetimi me metoda speciale, u finalizua me sukses operacioni policor i koduar "Gjobëvënësit", si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

-L. Z., 45 vjeç, banues në Fushë Krujë, me rrezikshmëri të lartë në fushën e krimeve ndaj personit.



-E. Sh., 26 vjeç, banues në Krujë.



-K. E., 40 vjeç, banues në Xhafzotaj, Durrës.

Arrestimi i tyre u bë pasi këta shtetas në bashkëpunim me njëri - tjetrin me anë të kanosjes dhe dhunës, kanë shtrënguar për dhënien e një pasurie prej 50 000 eurosh, shtetasin N. L., banues në Durrës.

Gjatë operacionit, në momentin e ndërhyrjes, Policia u sekuestroi dy shtetasve të lartpërmendur shumën 5000 euro, të cilën e kishin vënë si këst të radhës për t'u paguar nga shtetasi N. L.

Gjithashtu në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dhe 3 aparate celulare dhe 1 automjet.

Materialet do t'i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, për hetime të mëtejshme në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur, për veprën penale ?Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë ", në bashkëpunim.